2007-08-27 20:16:16

‘Me Nënë Terezën’ :‘Jezusi është shpjegimi i ardhmërisë’ :emisioni 23-të.


(27.8.2007 RV)RealAudioMP3 Dëgjues të nderuar vijojmë me rubriken tonë të përditshme kushtuar të Lumes Nënë Terezës, Gonxhe Bojaxhiu në këta dy muaj të gushtit e shtatorit.
Në gusht, nuaji në të cilin bie përvjetori i lindjes së Nënë Terezës, e pikërisht dje më 26 gusht ishte përvjetori i lindjes së saj dhe shtatori, muaji kur kaloj në shtëpitë e Atit Qiellor, e Nënë Tereza ndërroi jetë pikërisht më datën 5 shtator.
Motrat e Nënë Terezës janë gjithnjë atje ku ka uri. Atje ku ka etje. Ku ka vuajtje. Ku varfëria vret e jeta bëhet më e hidhur se vdekja. Atje ku jetohet pa shpresë për të ardhmen. Po si duhet ta kuptojmë fjalën ‘ardhmëri? Si ditët e jetës që na mbeten për të jetuar, derisa të mbyllim sytë për dritën e kësaj bote? Si koha që na dhurohet, derisa për ne të mos ketë më kohë? Sa pak! Sa e shkurtër është kjo kohë për ata që nuk besojnë. E sa e pakufi për ata, që e dinë se përtej kohës tokësore ka një kohë tjetër, se pas ditëve të jetës këtu poshtë, njeriun e pret amshimi ose dënimi. Pikërisht mbi një konceptim të tillë të kohës e të përjetësisë mbështetet gjithë veprimtaria, gati e pabesueshme, e Kongregatës së Nënës të të varfërve, e cila në emisionin 23-të të ciklit tonë radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’, na tregon ku duhet ta gjejmë shpjegimin për natyrën e misionit të motrave të bamirësisë: ‘Jezusi është shpjegimi’.
“ Na njohin me emrin ‘Misionaret e Bamirësisë’.
Zoti është dashuri.
Një misionare e bamirësisë duhet të jetë misionare e dashurisë. Duhet ta ketë shpirtin plot me dashuri e ta ndikojë këtë dashuri edhe në shpirtrat e të tjerëve, të krishterë ose jo.
Ashtu si Jezusi qe dërguar nga Ati, ashtu Ai na dërgon ne, përplot me Shpirtin e vet, që t’ia predikojmë Ungjillin e tij të dashurisë e të mëshirës të varfërve më të varfër në mbarë botën.
Detyra jonë më e rëndësishme është t’ia kumtojmë Jezu Krishtin çdo njeriu, çdo populli, posaçërisht atyre që janë nën mbrojtjen tonë.
Dëshira jonë e vetme duhet të jetë të shuajmë etjen e Jezu Krishtit, për virtyt të kushteve tona, të këshillave ungjillore e të përkushtimit tonë krejt të lirë në shërbimin plot dashuri ndaj të varfërve më të varfër, duke përkuar plotësisht me mësimet e me jetën e Zotit tonë, sipas Ungjillit, në të cilin Ai na dëftohet si udha e vetme për të arritur në mbretërinë e Hyjit.
Misioni ynë kryesor është të punojmë për shëlbimin dhe shenjtërimin e të varfërve më të varfër.
Ne, mbi të gjitha, jemi rregulltare.
Nuk jemi asistente shoqërore, as mësuese e as infermiere ose mjeke.
Jemi rregulltare.
I shërbejmë Jezusit ndër të varfërit.
E mjekojmë, e ushqejmë, e veshim, e vizitojmë, e ngushëllojmë në të varfërit, në të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, në të sëmurët, në jetimët, në ata që japin shpirt.
Gjithçka bëjmë: lutja, puna, vuajtja – i kushtohen Jezusit.
Jetët tona nuk kanë asnjë kuptim jashtë Tij.
Kjo është një pikë që shumkush nuk arrin ta kuptojë.
Ne i shërbejmë Jezusit 24 orë mbi 24 orë.
Gjithçka bëjmë, e bëjmë për Të. Është Ai që na jep forcë për ta bërë.
E duam në të varfërit e të varfërit i duam në Të.
Por Ai zë gjithnjë vendin e parë.
Punojmë për Të, atij ia kushtojmë gjithçka.
Ai na jep forcë të jetojmë një jetë të tillë e të jemi të lume.
Pa Të nuk jemi në gjendje të bëjmë këtë që bëjmë.
A mund të vijosh gjithë jetën të bësh diçka, që nuk dëshiron ta bësh? Ndoshta mund të vijosh, me dhëmbë shtrënguar, një vit, dy. Por jo një jetë të tërë, të cilën duhet ta shkrish pa pritur falënderime, mirënjohje, po vetëm vuajtje, së bashku me Atë që na desh aq shumë, sa të japë jetën për ne.
Pa Jezusin jeta jonë do të ishte e kotë.
Do të ishte fare pa kuptim.
Jezusi është shpjegimi i jetës sonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.