(27.08.2007 RV)Presidenti francez, Nikolas Sarkozi shpalosi sot para konferencës
vjetore të ambasadorëve në Francë, politikën e jashtme të qeverisë së tij. Mbështetje
e plotë për planin e Ahtisarit përsa i përket Kosovës, por interesante edhe propozimet
e tjera. Kritika të hapura ndaj Rusisë dhe Kinës e një Iran pa armë bërthamore. Përsa
i përket Irakut, Sarkozi kujtoi se Franca mbetet kundër luftës dhe kërkoi përcaktimin
e një afati të qartë për tërheqjen e trupave të huaja. Një botë shumëpolare,
ku të mos ketë antagonizma të theksuara e ku nuk ka Francë pa një Europë të fortë
e anasjelltas. Presidenti francez propozoi krijimin e një “komiteti të urtësh” për
të kuptuar se cila do të jetë Evropa e viteve 2020-2030 e misioni i saj. Në këtë kuadër,
Franca nuk do të kundërshtonte hapjen e kapitujve të ri të negociatave Bruksel-Turqi.
Sarkozi e përkufizoi veten si “mik të Izraelit”, por nga ana tjetër kërkoi që të evitohet
një ndeshje frontale ndërmjet Perëndimit dhe Islamit, duke pranuar që disa fuqi myslimane
mund të zotërojnë energji bërthamore për qëllime civile. Bashkësia ndërkombëtare duhet
të jetë në gjendje të udhëheqë një proce paqeje që të shkojë drejt krijimit të një
shteti palestinez. Dialogu euromesdhetar është një nga shtyllat e politikës së
jashtme të Francës për të zgjidhur problemet e ambientit, ekonomisë e sigurisë dhe
për dialogun mes kulturave. Sarkozi kërkoi gjithashtu që G8 të transformohet dalëngadalë
në G13, ku të marrin pjesë edhe Kina, India, Brazili dhe Afrika e Jugut.