2007-08-25 13:01:49

Fillon nëntë ditëshi i lutjes për Nënë Terezën


(26.08.2007 RV)Afrohet 5 shtatori, 10-vjetori i kalimit në amshim të Nënë Terezës, misionares shqiptare të bamirësisë, dhe e gjithë bota që e ka vlerësuar punën e së Lumes përgatitet ta përkujtojë me aktivitete të ndryshme. Në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, kudo ku ndodhen shqiptarë nëpër botë po organizohen mbrëmje përkujtimore, meshë e aktivitete të tjera fetare e kulturore, për nder të Nënë Terezës.
Veçojmë sot kalendarin e aktiviteteve të përgatitura nga motrat e Nënë Terezës në Itali, të cilat do t’i kujtojmë pak nga pak, edhe sipas ditëve.
Pikërisht sot, në përgatitje të festës, fillon nëntë ditëshja e lutjeve për Nënë Terezën. Lutjet zhvillohen çdo ditë në orën 19.00 në Bashkësinë e motrave misionare kundruese të bamirësisë në via del Dragoncello, 68 në Açilia, afër Romës. Adhurimi i vazhdueshëm i Eukaristisë fillon të premten më 31 gusht në orën 9 të mëngjesit, deri në orën 6 të mëngjesit të 4 shtatorit, në Kapelën e Vëllezërve misionarë kundrues të bamirësisë në via S. Agapito, 8 në lagjen Prenestina të Romës. Për aktivitetet e tjera që fillojnë më 4 shtator, do t’ju njohim në emisionet e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.