2007-08-25 12:59:20

Aktiviteti javor i Papës dhe i Vatikanit


(26.08.2007 RV)Dëgjues të nderuar, në pjesën e parë të emisionit tonë të sotëm, ja një pasqyrë e shkurtër nga aktiviteti javor i Papës, Selisë së Shenjtë e Kishës në botë.
Gjatë audiencës së përgjithshme, të mërkurën e kaluar, Papa Benedikti XVI bëri një thirrje të re solidariteti për popullsitë e Perusë të goditura nga tërmeti, ndërsa gjatë katekizmit të audiencës kompletoi fjalimin e tij mbi shën Gregor Naxianxenin, nga i cili kujtoi thirrjen për të imituar përdëllimin hyjnor. Ati i Shenjtë Jozef Racinger u ndal tek mësimet e teologut të madh, i cili tërë jetën ia kushtoi veprimtarisë për të bërë të shkëlqejë drita e së Vërtetës së Hyjit. Shën Gregor Naxianxeni, nënvizoi Papa, na mëson se dashuria e Zotit mbizotëron gjithmonë mbi ligështitë tona njerëzore. Për të jetuar çdo ditë në dritën e Krishtit nevojiten dashuria e lutja.

E këtë javë, pikërisht të enjten e kaluar, në emër të Papës, në Peru ka shkuar për të vizituar popullsitë e goditura nga termeti, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, i cili ka dashur kështu të transmetojë personalisht solidaritetin shpirtëror e material të Atit të Shenjtë Benediktit XVI, me një kontribut prej 200 mijë dollarësh për ndihmat urgjente. Kujtojmë se viktimat e termetit të 15 gushtit të kaluar, kanë kaluar numrin e 540 të vdekurve, qindra të plagosurve e mijëra e mijëra njerëzve të pastrehë. E tronditur nga tragjedia e tmerrshme e ditëve të kaluara, Kisha e Perusë bashkohet rreth Eukaristisë. Dje në Kimbote janë hapur punimet e Kongresit IX Eukaristik të Kishës peruviane në praninë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kard. Bertone.

“Jeta njerëzore duhet të shpëtohet edhe nëse është fryt i dhunës”: kështu deklaroi kardinali Sekretar i Shtetit të Vatikanit Tarçizio Bertone, në një intervistë dhënë Radio Vatikanit, pas Meshës së Shenjtë me të cilën të dielën e kaluar hapi punimet e Mitingut të Riminit, duke komentuar kthesën e Amnesty International, e cila ndër të drejtat njerëzore ka përfshirë edhe abortin në rastet e përdhunimit.


E në Mitingun e Riminit, takim i përvitshëm që organizon lëvizja kishtare ‘Comunione e Liberazione’ (Bashkim e Clirim), mes argumentesh të ndryshme që janë trajtuar nga personalitete të larta shkencore, politike e kishtare, është folur edhe për “strategjitë politike” që janë duke i bërë “jo të lehta” marrëdhëniet mes Selisë së Shenjtë dhe institucioneve të Bashkimit Evropjan. Kështu deklaroi Mario Mauro, zëvënës-president i Parlamentit evropjan, i cili gjatë Mitingut të Riminit, u ndal mbi rezolutat kundër Selisë së Shenjtë të miratuara nga asambleja e Strasburgut. Selia e Shenjtë është “dënuar” me 32 rezoluta, ku shpesh i tërhiqet vëmendja për ndërhyrje në jetën politike. Nga ana tjetër, Kina komuniste është përmendur vetëm 10 here në rezolutat e Europarlamentit, ndërsa Kuba e Fidel Kastros vetëm 8 herë.

Një tjetër argument, në qendër të vëmendjes javës që kaloi, ishte fjalimi i Papës Benediktit XVI shqiptuar një vit më parë në Universitetin e Regensburgut të Gjermanisë mbi dialogun ndërmjet feve përmes së vërtetës dhe raportin ndërmjet fesë dhe arësyes. Një vit pas fjalimit të Papës, në Mitingun e Riminit, studiues të krishterë, hebrenj e myslimanë janë ballafaquar sëbashku. Sipas profesorit të shkencave islamike të Kajros Wael Farouk, fjalimi i Regensbugurt ka qenë një thirrje pozitive për të rishikuar marrëdhëniet ndërmjet së vërtetës dhe nocioneve të tjerave, sepse dialogu i vërtetë ka nevojë për sinqeritet. Papa ka nënvizuar se rreziku që dëmton dialogun vjen nga fondamentalizmi e nga nihilizmi. Ndërsa sipas studiuesit hebraik Sari Nusseiben, Papa ka dashur të bashkojë traditën e krishterë me atë myslimane duke theksuar se feja e vërtetë nuk është e dhunshme, feja e vërtetë propozohet e nuk imponohet.

Në Egjipt, një i ri 25 vjeçar që ka përqafuar krishterimin, rrezikon vdekjen. Së bashku me gruan, duan ta zyrtarizojnë fenë e tyre në letërnjoftim në mënyrë që fëmija i tyre që së shpejti do lindë, të lindë si i krishtërë. Mirëpo fatwa, dmth vendimi juridik mbi këtë çështje doktrinore, shqiptuar nga Universiteti Islamik i Al Alzahrit, e ka dënuar me vdekje, sepse kush heqë dorë nga Islami, lexohet, është apostat dhe meriton të vritet, aq më tepër nëse krenohet për këtë. Nga faqet e para të së përditshmes italiane Corriere della Sera, Magdi Allam, zëvendës drejtor i gazetës, me origjinë nga Egjipti e fe islame, bën thirrje të fuqishme drejtuar Italisë e Perëndimit që të mobilizohen për ta shpëtuar të riun që ka përqafuar krishtërimin.

Jeta për ata që e përqafojnë fenë e krishterë prej një feje tjetër, nuk është aspak më e lehtë as në disa shtete të Indisë. Në shtetin indian të Karnatakës, manifeste hindu kërkojnë masakrimin e të krishterëve, nëse këta nuk kthehen në fenë e të parëve, atë të hinduizmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.