2007-08-25 12:59:43

“Me Nënë Terezën” :‘24 orë nën urdhërat e Jezusit’: Emisioni 22 -të


(26.8.2007 RV)RealAudioMP3 Në emisionin XXII të ciklit tonë radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’, e Lumja shqiptare na flet për një fakt, i cili na bind për nderimin që gëzojnë motrat e bamirësisë kudo në botë, edhe atje ku të duket se të pret rreziku më i madh. Pastaj bën fjalë dhe për një shkrim, përmes të cilit shpjegon se gjithë këtë nderim e gëzojnë njerëzit që janë ‘24 orë nën urdhërat e Jezusit’:
Një fakt domethënës është ai i taksistit të Nju Jorkut, që nuk pranonte të më çonte në kuvendin e Motrave tona të degës kundruese në Bronxin e Jugut.
Nuk i kisha njoftuar për vizitën time e prandaj më duhej të shkoja me këtë mjet, por taksisti nuk pranonte të më çonte atje, sepse kishte frikë.
Nuk donte as të më dëgjonte, kur i tregoja se motrat tona kishin një shtëpi në atë vend e se jetonin atje. I dukej diçka krejt e pabesueshme.
Për ta bindur, i thashë:
‘E po mirë, po bëjmë kështu. Unë po ulem përpara, pranë jush, e do ta shikoni se nuk do t’ju ndodhë asnjë e keqe’.
Më në fund e pranoi propozimin tim e u nisëm për në South Bronx.
Taksisti i mirë mbeti pa mend kur pa motrat e mia të reja duke qeshur e duke lëvizur lirisht, në sa njerëzit që më shikonin, më përshëndesnin me kokë. Madje edhe të dehurit tapë më flisnin e, në shenjë nderimi, hiqnin kapelen.
Shikonte e nuk u besonte syve.
Kam bindjen se Kongregata jonë mbahet vetëm me shenjtëri.
“Për ne – u them motrave – shenjtëria nuk duhet të jetë e vështirë, sepse duke u shërbyer falas e me gjithë zemër të varfërve më të varfër, ne kalojmë 24 orë rresht me Jezusin. E me që çdo misionare e bamirësisë bën pjesë në radhët e të varfërve më të varfër, përvoja e kushtit të katërt jetohet edhe kur bëjmë diçka për njëra- tjetrën.
Një herë kardinali kryeipeshkëv i Sent Luis në SHBA më kërkoi t’i shkruaja diçka për librin e lutjeve.
I shkrova këto fjalë: “Lëshoje veten në duart e Jezusit në mënyrë që, kur të ketë nevojë për shërbimin tënd, ta bëjë këtë pa të kërkuar leje”.
Ai m’u përgjigj: “Ju nuk e dini ç’më keni bërë. Çdo ditë rrëmoj ndërgjegjen e e pyes veten: ‘A e kam lejuar Jezusin të shërbehet nga unë, pa pasur nevojë të më kërkojë leje?”.








All the contents on this site are copyrighted ©.