2007-08-24 18:43:48

Rubrika : “Me Nënë Terezën” ‘Lumturia dhe Eukaristia’. Emisioni XXI


(24.08.2007 RV)RealAudioMP3 Në emisionin 21 të ciklit tonë radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’, Motra e Lume shqiptare e bamirësisë na tregon si konceptohet lumturia në Kongregatën e themeluar prej saj. Për motrat e vëllezërit e Nënë Terezës, i lirë është vetëm kush arrin të çlirohet nga çdo gjë, që nuk është Krishti. Mendojnë kështu, sepse ‘i përkasin Zotit”, prandaj rrezatojnë gjithnjë gëzimin e jetës, lumturinë e vërtetë. Po të dëgjojmë fjalët e të Lumes Nënë Terezës…….

Motrat tona e vëllezërit tanë duan t’i japin Zotit gjithçka.
E dinë mirë se i varfëri, të cilit i shërbejnë, është Krishti i uritur, Krishti i sëmurë, i zhveshur, pa shpresë.
E dashuria e Tij është aq e madhe, sa ta shndërrojë përkushtimin e tyre në gëzim të jashtzakonshëm.
Prandaj rrezatojnë lumturi.
Ndjehen të lum, nga që janë të vetëdijshëm se kanë gjetur atë që kërkonin.
Gjëja e parë që përpiqemi t’u shpjegojmë dëshirtareve, postulanteve e noviceve tona, është se varfëria – e jo vetëm varfëria në shpirt, por edhe varfëria në kuptimin e mungesës së sendeve materiale – është liri.
Prandaj përpiqemi t’i çlirojmë motrat e vëllezërit nga gjithçka që nuk është Jezusi.
Kur arrijnë ta kuptojnë ç’është varfëria e kush mund të quhet i varfër, atëherë mund të rriten shpirtërisht përmes besimit në Jezusin e në Eukaristinë.
(Jetët tona lidhen në mënyrë të pazgjidhshme me Eukaristinë: ne kemi besim të thellë se Krishti është i pranishëm në Hosten shenjte).
Për virtyt të këtij besimi, është e lehtë ta shikosh e ta prekësh Krishtin nën dukjen e dhimbjes të të varfërve.
Na pëlqen shumë më pak të flasim për nismat tona, sesa të ndikojmë në to frymën e pendesës, të lutjes e të flijimit.
Pa flijim, lutje e pendesë, pa jetë të thellë shpirtërore, nuk do të ishim në gjendje ta kryenim punën tonë.
Kjo na bashkon me Mundimet e Krishtit, në të varfërit.
Të varfërit janë Korpi i Krishtit që vuan.
Ata janë Krishti.
Deri më sot askush nuk është sjellë në mënyrë vulgare me motrat, askush nuk u ka bërë keq.
Sari ynë është simbol që tregon se i jemi kushtuar Zotit.
Është simbol pastërtie, që tregon se i pëkasim Jezusit.
Rruzarja që e mbajmë gjithnjë në dorë, është mbrojtja jonë, forca jonë, ndihma jonë shpirtërore.
Motrat tona lëvizin lirisht, pa pasur frikë nga asnjë kërcënim, në të katër anët e botës, duke nisur nga Nju Jorku e duke përfunduar në vende ku nuk mungojnë luftërat, vuajtjet e urrejtjet.
Po kështu edhe në Kalkutë e në të gjithë Indinë.
Ka pasur edhe raste tensionesh të mëdha, gjatë të cilave askush nuk guxonte as të shkelte në rrugë.
Në sa motrat ishin gjithë ditën jashtë e deri njerëzit më të dhunshëm qenë gati t’i mbronin e t’u siguronin mundësinë për të lëvizur lirisht, pa i cënuar askush.
Sari ynë është arma jonë e mburoja jonë! Veshja jonë rregulltare ngjall kudo respekt e nderim tek njerëzit.
E njerëzit janë ata që janë, këtë e shohim të gjithë.
E megjithatë, e përceptojnë menjëherë se kanë të bëjnë me një njeri që i është kushtuar Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.