2007-08-23 17:46:14

“Me Nënë Terezën”: ‘Liria absolute gjendet duke dhuruar gjithçka’:emisioni XX


(23.8.2007. RV)RealAudioMP3 Dëgjues të nderuar vijojmë me rubrikën e përditshme radiofonike duke ecur gjurmëve të madhës të Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut, Engjëllit të të varfërve, dëshmitarës autentike të Ungjillit të Krishtit, lapsit të Zotit. E duke shfletuar librin ‘Jeta ime’ çdo ditë më tepër zhytemi në këtë oqeanin e pakufijshëm të hirit e të përdëllimit të Hyjit që shkëlqenin në personin e Nënë Terezës.
Ajo në mënyrë të mrekullueshme diti t’i gërshëtonte e mishëronte në gjeste konkrete, hirin dhe përdëllimin e Zotit me lirinë e gatishmërinë e paskajshme njerëzore duke i dashur e shërbyer më të varfërit ndër varfër në lirinë e plotë, duke u bërë Motër e Nënë e atyre personave që njerëzimi bashkëkohor i mohonte e mjerisht vazhdon ende sot t’i mohoi e menjanoi ….thua se nuk janë pjesë e pandashme e një trupi e shpirti njerëzor. Po vetëm kush, si Nënë Tereza, gëzon lirinë e vërtetë mund të kryejë vepra të vërteta dashurie.
Po, etja për liri është një nga ndjenjat më fisnike njerëzore. Është ajo që e shtyn njerëzimin përpara. Në kërkim të lirisë së plotë njerëzit shpesh kanë flijuar edhe ndjenjat më të fisme. Mjafton të kujtojmë vargjet e famshme të poetit hungarez Shandor Petëfi. “Për dashurinë jap jetën, për lirinë jap dashurinë”, për ta kuptuar se liria është një nga pasuritë më të mëdha të e njeriut. Po sa e vështirë është të gjindet liria absolute. Për ta gjetur, nuk duhet të japësh shumë, por gjithçka. Atëhere, ku e si duhet ta kërkojmë lirinë? Në emisionin XX të ciklit tonë radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’, Motra e Lume shqiptare e bamirësisë na tregon sesi në Kongregatën e saj rregulltare Motrat e rejat e gjejnë lirinë absolute – duke dhuruar gjithçka.

"Çdo ditë bëhen gjithnjë më të shumtë njerëzit që pyesin me interes e këmbëngulje si mund të na ndihmojnë për ta kryer punën tonë.
Ne u krijojmë mundësinë të punojnë për dashuri, duke kryer gjeste krejt të thjeshta, siç është ai i ndihmës që mund t’i japin ndonjë prej njerëzve të familjes së vet, para se të kalojnë më pas tek të afërmit që banojnë pranë e tek të varfërit, që banojnë më tutje.
Kur vendoset kjo lidhje (dëshiroj të sqaroj se unë nuk kërkoj kurrë para; kërkoj vetëm të vijnë e të shikojnë, të takohen me të varfërit tanë), pra, kur lidhja vendoset, atëherë nuk është e vështirë të mendohet ç’duhet bërë. E të fillohet puna me vendosmëri e dashuri.
Gjëja më e bukur që kanë të rinjtë është bujaria e tyre.
Zakonisht u japim një fletë për ta përpiluar, duke iu përgjigjur pyetjes: “Pse dëshiroj të hyj ndër Misionaret e Bamirësisë?”.
Shumë prej tyre shkruajnë:
“Kërkoj të bëj një jetë të varfër, me lutje e flijim, që më çon tek shërbimi ndaj të varfërve”.
Shpesh mendojmë se të rinjtë i tërheq më shumë puna.
Por nuk duhet të çuditeni, në se ju them se është krejt tjetër gjë ajo që i tërheq: i tërheq jeta në varfëri.
Të rinjtë tanë dëshirojnë një gjë të vetme: të japin gjithçka, ose asgjë.
Sado tërheqëse të jetë puna, duhet të mos lidhemi shumë me të e të jemi gati për ta lënë.
Mund të jemi duke bërë tepër mirë në një vend, por dëgjesa na detyron ta lemë e të shkojmë gjetiu.
Duhet të jemi gati të shkojmë.
Puna nuk është jona.
E bëjmë për Jezusin.
Mund të jemi të lodhura e të këputura nga puna.
Mund edhe të vdesim nga lodhja e tepruar.
Në se puna nuk thuret me dashurinë, është krejtësisht e panevojshme.
Po kujtoj këtu shembullin e një të reje shumë të pasur, që më shkroi sa vijon:
“Ka vite që Jezusi më thërret për jetë rregulltare. Po përpiqem të zbuloj ku dëshiron të shkoj. Kam qenë në shumë vende e kam parë se kishin të njëjtat gjëra, që i kam edhe unë. Në se do të hyja në vende të tilla, nuk do të më duhej të hiqja dorë nga asgjë…”.
Kjo e re dëshironte të jipte gjithçka: donte të hiqte dorë nga të gjitha, për ta ndjerë veten plotësisht të lirë.
Për këtë arsye ne e quajmë varfërinë liri: është lira jonë absolute".







All the contents on this site are copyrighted ©.