2007-08-23 18:23:28

Protesta kundër regjimeve ushtarake në Mianmar dhe Bangladesh e lajme të tjera


(23.08.2007 RV)Dy vende aziatike, Mianmari dhe Bangladeshi, ndodhen aktualisht në mes të protestave kundër regjimeve ushtarake në fuqi. Studentë dhe anëtarë të shoqërisë civile kanë dalë në sheshe për të kërkuar demokraci dhe një jetë më të mirë.
Qeveria ushtarake e Bangladeshit, e cila e ka marrë pushtetin më 11 janar të vitit 2006, ka vendosur dje shtetrrethimin në kryeqytetin Daka e në 5 qytete të tjera. Qendra e protestave është universiteti, ku studentët kërkojnë zgjedhje të parakohshme e jetë më të mirë. E njëjta situatë edhe në Mianmar, ish-Birmani, ku që prej tri ditësh vazhdojnë protestat kundër rritjes së çmimit të karburantit me 500%. Manifestimet udhëhiqen nga opozita, kryetarja e së cilës, prej vitesh mbahet në arrest shtëpiak.

Nuk ndalet dhuna në Irak, ku organizata terroriste Al Kaida godet sërish popullsinë civile. 200 njerëz të armatosur kanë sulmuar dy fshatra sunite në verilindje të Bagdadit. Bilanci shënon 25 viktima. Para se të tërhiqeshin, ata kanë marrë peng edhe 5 gra e 7 fëmijë. Ndërkaq në Bagdad, një kamikaze ka shkaktuar 16 viktima.

Një video që tregon pengun gjerman 62 vjeçar, në duart e talebanëve që prej një muaji, është transmetuar sot paradite nga një televizion privat në Afganistan. Rudolf Blekshmidt dukej qartë se ishte i sëmurë. Inxhineri gjerman shpjegoi për 2 minuta se ndodhej në male me talebanët, se qeveria afgane ka refuzuar çdo kontakt me rrëmbyesit dhe se jeta e tij dhe e katër pengjeve afgane është në rrezik serioz. Talebanët kanë kërkuar tërheqjen e 3 mijë ushtarëve gjermanë nga Afganistani.







All the contents on this site are copyrighted ©.