2007-08-23 18:08:42

Dita botërore e përkujtimit të tregtisë së skllevërve dhe të zhdukjes së skllavërisë


(23.08.2007 RV)RealAudioMP3 Në natën ndërmjet 22 dhe 23 gushtit 1791, një kryengritje e skllevërve të Santo Domingos shënonte fillimin e procesit që do të sillte më vonë zhdukjen e skllavërisë. Për të kujtuar këtë plagë të tmerrshme dhe për të luftuar format moderne të shfrytëzimit të njeriut, UNESCO kremton sot Ditën botërore të përkujtimit të tregtisë së skllevërve dhe të zhdukjes së skllavërisë. Të shumta janë nismat në të gjithë botën, e në veçanti në Britaninë e Madhe, e cila këtë vit përkujton 200 vjetorin e ndalimit të tregtisë së skllevërve në kolonitë britanike. Për një reflektim mbi fenomenin, i cili sot shfaqet në forma të ndryshme, por përfshin 200 milion njerëz, pyetëm Marko Bufon, koordinator i përgjithshëm i shoqatës jo fitimprurëse “On the Road” (Në rrugë), e cila punon në kontakt të drejtpërdrejtë me viktimat e trafikut të qënieve njerëzore:
Skllavëria është realitet i Evropës perëndimore, e në përgjithësi, i vendeve të pasura ose në zhvillim. Nuk kemi të bëjmë vetëm me trafikun e njerëzve me qëllim shfrytëzimin seksual, por edhe me shfrytëzimin në sektorë të ndryshëm të punës, si në ndërtim, në bujqësi, në përdorimin e njerëzve si lypës, ku kryesisht gjejmë fëmijë, por edhe persona me aftësi të kufizuara. Arrihet deri tek transplantimi i organeve dhe tek adoptimet ndërkombëtare të paligjshme.
Çfarë e ushqen sot fenomenin e trafikut të qënieve njerëzore?
Sot fenomeni karakterizohet për një biznes që zë vendin e tretë në trafikët ndërkombëtare të kriminalitetit të organizuar. Jep fitime shumë të mëdha në krahasim me rreziqet e pakta. Megjithëse ligjet e shteteve po u përshtaten kërkesave të protokollit të OKB-së së Palermos, për shembull, duke i konsideruar këto trafikë si krime e duke përcaktuar dënime të ashpra, në të vërtetë, ky është një krim i vështirë për t’u identifikuar e akoma nungon vetëdija e rëndësisë së tij. Akoma personat që vijnë nga deti për shembull, konsiderohen thjesht emigrantë klandestinë e jo viktima të trafikut, siç janë në të vërtetë. Një vështirësi tjetër vjen nga fakti se organizatat kriminale kanë ndryshuar mënyrën e veprimit dhe kanë kaluar nga dhuna në forma shfrytëzimi të negociuara, prandaj edhe vetë viktimat nuk e perceptojnë veten si të tilla, me avantazhe të mëdha për kriminelët.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.