2007-08-22 17:25:31

Përmbytje dhe viktima në Afrikën Lindore por shtypi hesht


(22.08.2007 RV)RealAudioMP3 Që nga fillimi i korrikut, pjesa më e madhe e Afrikës lindore vuan nga përmbytjet e shumta, për shkak të shiut që nuk resht. Vendet më të goditura janë Uganda, Kenia, Etiopia, Eritrea dhe Sudani. Pikërisht në këtë vend të fundit, në Sudan, bilanci i fundit qeveritar flet për 87 të vdekur dhe për rreth 70 mijë banesa të shkatërruara. Në mikrofonin tonë, atë Luigji Çinjolini, epror provincial i Kombonianëve në Khartum:
Këtë vit kemi pasur shira me të vërtetë të jashtëzakonshme, sidomos në zonën gati të tharë të veriut. Kjo ka shkaktuar shkatërrimin e shumë fshatrave, të cilat janë ndërtuar me baltë e kashtë, ndërprerjen e rrugëve. Edhe këtu në kryeqytet kemi pasur probleme, sepse zakonisht shiu bie dy-tre herë në vit. Natyrisht që shtëpitë shemben e njerëzit mbeten jashtë.
Cilat janë problemet më urgjente?
Duhet të kërkojmë ndonjë strehë për këta njerëz, të cilët mundohen të shpërngulen në fshatrat që nuk janë shkatërruar akoma. Natyrisht, atje nuk kanë asgjë dhe mbeten jashtë. Nuk kanë as mbulojat prej plastmasi, që përdoren zakonisht në rastet e emergjencave. Kështu që, shumica e njerëzve përpiqet të mbrohet me ndonjë thes, por janë mjete të pamjaftueshme. Gjithashtu, pijnë ujin e shiut dhe mund të imagjinohen efektet dytësore.
Flitet për rreth 50 të vdekur nga kolera e rreth 700 të sëmurë…
Këto epidemi ndodhin çdo vit, e kufizohen mjaft mirë, sepse mjekët i identifikojnë menjëherë. Por, kjo ndodh në qytete e në vendet ku ekziston asistenca mjekësore. Është e qartë se në shumë fshatra, kush sëmuret nga kolera vdes në pak orë, sidomos fëmijët.







All the contents on this site are copyrighted ©.