2007-08-22 17:29:28

Mëse 30 viktima në Irak. Tension Bush-Al Maliki


(22.08.2007 RV)Lumë gjaku në Irak. Në atentatet e ndryshme në të gjithë vendin kanë gjetur vdekjen mëse 30 vetë. Më i përgjakshmi, atentati kamikaze kundër një stacioni të policisë në veri të Bagdadit, i cili shkaktoi 20 viktima e mëse 80 të plagosur. Një helikopter është rrëzuar duke shkaktuar, nga ana tjetër, 14 të vdekur, të gjithë ushtarë.
Në frontin politik, mbetet i lartë tensioni ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe kryeministrit irakian Nuri Al-Maliki. Presidenti amerikan Xhorxh Bush e kritikoi dje vizitën e Al Malikit në Siri, gjatë së cilës janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh ekonomike. Përgjigjia e Al Malikit nuk vonoi. “Askush nuk mund t’i diktojë afate qeverisë irakiane”, komentoi sot ai.
Po sot, presidenti amerikan Bush mbrojti me forcë praninë e SHBA-ve në Irak, në një diskutim në kongresin vjetor të Veteranëve të Luftrave jashtë vendit, në Kansas Siti. Duke bërë një krahasim me luftën e Vietnamit, Bush sqaroi se atëherë mendohej se nëse Uashingtoni do të largohej nga vendi, masakrat e popullsisë do të përfundonin. Por kjo nuk ndodhi. Me largimin e amerikanëve, komunistët vietnamezë filluan një fushatë të pashembullt kundër popullsisë, duke hapur kampe riedukimi e duke kryer ekzekutime pa gjyq. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në Irak, vend që po përballet me luftën sektare, nëse do të largohen amerikanët, theksoi Bush.







All the contents on this site are copyrighted ©.