2007-08-22 17:45:51

Kardinal Bertone niset për në Peru, ku mbetet dramatike gjendja e të dëmtuarve nga tërmeti


(22.08.2007 RV)Pikërisht nesër, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone niset për në Peru, ku do të çojë edhe një shumë simbolike prej 200 mijë dollarësh nga ana e Papës Benedikti XVI. Ndërkaq, Ati i Shenjtë ka mobilizuar krejt Kishën universale. Vetëm Kisha në Itali ka caktuar 1 milion euro, si ndihma për popullsinë peruviane.
Brenda javës do të merret vesh bilanci përfundimtar i dëmeve të shkaktuara në Peru nga tërmeti i 15 gushtit. Kështu të paktën shpreson organizata e Mbrojtjes Civile lokale. Për momentin, të dhënat zyrtare flasin për 540 të vdekur, 34 mijë shtëpi të shkatërruara dhe rreth 1.600 të plagosur. Cila është situata aktuale? Na flet nga Peruja, imzot Guido Brenja Lopez, ipeshkëv i Ikës:
Kanë mbërritur ndihmat dhe gjendja është përmirësuar disi. Në Ika ka elektricitet, ka ujë, por duhet bërë më shumë, sepse në Kinka e në Pisko nuk ka ujë, nuk ka ushqime, shtëpitë janë shembur e familjet kanë mbetur rrugëve. Gjendja është e trishtuar, të shpresojmë se me ndihmën e Zotit e me solidaritetin e njerëve, do ta kapërcejmë këtë moment të vështirë.
A mund të parashikohen afate për rindërtimin e zonave të dëmtuara?
Vështirësitë kryesore do të zgjasin pak a shumë për një muaj. Tani, në Pisko, 80% e shtëpive janë shembur, 40% në Kinka dhe 40% edhe në Ika. Rreth 150 mijë familje janë pa shtëpi e në gjendje varfërie.
Vështirësi ka edhe për Kishën. Janë shembur rreth 20 kisha në Ika, Pisko dhe Kinka.
Së shpejti, kardinali Tarçizio Bertone, sekretari i Shtetit të Vatikanit do të jetë aty mes jush. Është një vizitë e parashikuar, por u bë më parë për shkak të tërmetit. Çfarë prisni prej saj?
Është me të vërtetë një dhuratë e veçantë e Zotit që Papa të vijë ndërmjet nesh, përmes Sekretarit të Shtetit. Do të mblidhemi në Ika, pranë bazilikës Senor de Luren për t’u lutur e për të dëgjuar fjalët e Sekretarit të Shtetit. Kështu do të ndodhë edhe në Pisko.







All the contents on this site are copyrighted ©.