2007-08-21 15:44:48

Imzot Bagnasco :Takimi i Papës me të rinjtë në Loreto, është ngjarje hiri për mbarë Italinë


(21.8.2007 RV)Dhjetë ditë para takimit të Agoràs, dmth takimit të Rinisë në Loreto që do të kulminojë më vizitën e Papës Benediktit XVI më 1 e 2 shtator 2007 , kryetari i Konferencë Ipeshkëvnore të Italisë imzot Angelo Bagnasco ka shkuar në mesin e vullnetarëve e të përgjegjësve të këtij organizimi dhe ka vizituar vendet e takimit të madh mes Papës dhe të rinjve. Sipas kryeipeshkvit të Gjenovës imzot Bagnascos, takimi i Rinisë në Loreto do të jetë „ngjarje e madhe për Kishën Italiane e për mbarë Vendit, „atë e konsideroj si një vizitë të mëtejshme që Hyji i bënë njerëzve e në mënyrë të posaçme të rinjve“. Kështu pra tha akoma presidenti i Konferencë ipeshkvnore italiane imzot Angelo Bagnasco në takim me gazetarë, të rinj vullnetarë e personelin organizues si dhe anëtarë të mbrojtjes civile në fushën e Montorsos në Loreto, zonë e cila më 1 e 2 shtatorin e ardhshëm do të presë 300.000 të rinj për vizitën e Papës Benediktit të XVI.
Duke folur për „Vikarin e Krishtit“ dhe për ballafaqimin me të rinjtë e Agorà-së, imzot Bagnasco tha se takimi i Papës me të rinjtë në Loreto në fillim të shtatorit, „do të jetë vazhdim i dialogut të frytshëm e të pasur të nisur nga Gjon Pali II“. E duke iu referuar Ungjillit të Lajmërimit të Engjëllit të Tenzot Vigjërës Mari, që u lexua në lutjet e ditës - imzot Bagnasco vërejti se „drita që kjo pjesë e Ungjillit hedhë mbi Takimin e rinisë është edhe një vizitë e mëtejshme që Zoti i bënë njerëzve e në mënyrë të posaçme të të rinjve, për të na thënë se Ai ka dëshirë të madhe për të ndejur me njerëz e për të banuar në zemrat e të rinjve“. Ndërkohë vazhdon regjistrimi i të rinjve nga të gjitha dioqezet italiane dhe nga Vendet e ndryshme që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë takim me Atin e Shenjtë Benediktin e XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.