2007-08-21 18:02:23

Amnesty International dhe aborti: qëndrimi i Kishës


(21.08.2007 RV)RealAudioMP3 Amnesty International, organizata ndërkombëtare që lufton për të drejtat e njeriut ka marrë kohët e fundit, një vendim sipas të cilit konsiderohet e drejtë njerëzore aborti nga ana e atyre grave që e kanë zënë fëmijën me dhunë seksuale. Nga bota katolike, por edhe nga anë të ndryshme të shoqërisë civile, vazhdojnë të arrijnë kritika të ashpra për këtë qëndrim. Amnesty, themeluar më 1961 nga avokati anglez Peter Benenson, një anglikan i kthyer në katolicizëm, e ka ratifikuar vendimin mbi abortin të premten e kaluar, gjatë Asamblesë së 28-të të përgjithshme të mbajtur në Meksikë. Edhe në këtë moment ekzistojnë polemika të ashpra në gjirin e vetë organizatës. Në mikrofonin tonë kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i shtetit të Vatikanit:
Kemi dëgjuar të paraqitet sërish ky qëndrim gjatë këtyre ditëve dhe kemi dëgjuar edhe refuzimin e qartë nga ana e njerëzve të Kishës e nga ana e mendimtarëve të tjerë. Nuk mund t’u shtohen vrasje vrasjeve. Edhe nëse foshnjat e palindura janë persona në embrion, janë gjithsesi subjekte njerëzore, me të gjithë dinjitetin e tyre prej qënieje njerëzore. Natyrisht duhet të luftojmë kundër dhunës ndaj grave, kundër kësaj forme çnjerëzore të dhunës që është përdhunimi e duhet të luftojmë të gjithë, në mbrojtje të dinjitetit të grave, të çdo gruaje. Do të citoja këtu një dokument që ka kaluar në heshtje, dokumentin e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, nënshkruar nga kardinali i atëhershëm Racinger dhe nga unë: “Bashkëpunimi i burrit dhe i gruas në Kishë e në shoqëri”. Duhet ta shpëtojmë jetën, edhe nëse është fryt i dhunës. Nuk mund të eliminohet jeta si e tillë, megjithëse është fryt i dhunës.
Ipeshkvi katolik i Anglisë Lindore, imzot Majkëll Çarls Evans ka vendosur të largohet nga Amnesty International, pas 30 vjetësh pune në radhët e kësaj organizate. Ta dëgjojmë:
Kam punuar me Amnestin për 31 vjet dhe jam përpjekur t’i inkurajoj katolikët e famullive e të shkollave të bëhen anëtarë të saj e të përfshijnë në organizatë edhe persona të tjerë. I imi pra, është një vendim shumë i trishtuar, sepse jam i apasionuar pas punës së Amnestit. Është një organizatë e mrekullueshme që bën punë të mëdha dhe ka punuar me Kishën në të kaluarën. Më trishton fakti që jam i detyruar ta lë.
Kisha katolike e mbështet plotësisht impenjimin kundër dhunës që godet gratë, por tani është marrë ky vendim mbi abortin…
Ashtu është. Në këtë moment, Amnesti ka një fushatë shumë të rëndësishme që ka për qëllim ndalimin e dhunës kundër grave e duhet ta mbështesim plotësisht. Mendoj se katolikët duhet të bëjnë edhe më tepër për të mbështetur gratë që kanë pësuar dhunë seksuale ose lloje të tjera dhune. Duhet të shohim nëse ne, si bashkësi katolike, po bëjmë me gjithë mend mjaft për t’i ndihmuar. Por, mënyra më e mirë për të ndihmuar gratë që janë përdhunuar nuk është ajo e dhunës kundër fëmijës që kanë në bark. Një nga të drejtat themelore të njeriut është pikërisht e drejta për jetën.
Shumë anëtarë të Amnesty International nuk janë dakord me këtë vendim, siç kanë treguar asambletë në të gjithë botën. Pjesa më e madhe e anëtarëve të organizatës janë katolikë, të cilët nuk mund të pajtohen me të. Përse atëherë, Amnesti vendosi në këtë mënyrë?
Dyshoj se ka persona brenda Amnestit, sidomos në Baritaninë e Madhe dhe në SHBA, të cilët formojnë një lobi shumë të fortë që të njihet aborti në nivelin ndërkombëtar. Për momentin, sipas ligjit ndërkombëtar, nuk ekziston një e drejtë për abortim e këta duan që të njihet si e drejtë universale.
Ju do të vazhdoni të mbroni misionin kryesor të Amnesty International, atë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut kudo në botë?
Po dhe po përpiqem të gjej rrugën se si duhet bërë kjo e besoj se edhe organizatat katolike duhet të mendojnë se si duhet punuar me organizatat, parimet e të cilave nuk i mbështesin plotësisht. Në shoqëri, ndodh shpesh të bashkëpunojmë me organizata, punën e të cilave nuk e mbështesim tërësisht. Që nuk jemi dakord, duhet ta themi qartë, por duhet të gjejmë edhe rrugën për të punuar sëbashku. Nuk e di akoma mënyrën, por duhet të mendojmë në mënyrë krijuese për këtë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.