2007-08-20 17:00:17

“Me Nënë Terezën”: ‘Gurra e gëzimit të vërtetë’, emisioni XVII


(20.8.2007 RV)RealAudioMP3 “A është e lehtë të zgjedhësh vullnetarisht rrugën, që pak e kush e zgjedh? Atë të varfërisë? A është e lehtë të rrish gjithë ditën me të gërbulur, me të gjymtuar në trup e në shpirt, me njerëz që janë në prag të vdekjes, me të braktisur në mes të rrugës? E këte në një botë që dëshiron e bën krejt të kundërtën? A mund të quhet njeri me arsye të shëndoshë, ai që e zgjedh këtë rrugë? Në se po, çka e shtyn ta zgjedhë? Çfarë cilësi duhet të ketë, për ta përballuar?”. Këtyre pyetjeve u përgjigjet Nëna e të varfërve të botës, Gonxhe Bojaxhiu në emisionin XVII të ciklit tonë radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’.
E, duke na treguar burimin e gëzimit të motrave të saj, Misionareve të Dashurisë, e Lumja Nënë Terezë i siguron të gjithë besimtarët se mund ta shuajnë etjen tek e njëjta gurrë prej nga buron ai, që personalisht ajo e quan: “Gëzimi i motrave të mia”: Ja çka shkruan Nënë Tereza:


Përkushtimi bujar i motrave tona të reja, është dhurata më e çmuar që i bën Zoti Kongregatës sonë dhe mbarë Kishës.
Ajo që i tërheq më shumë, është diça më e mrekullueshme e më e thellë se pasioni për punën.
Shumë nga motrat vijnë nga familje me gjendje të mirë shoqërore. Prandaj prekesh edhe më shumë, kur shikon me ç’gatishmëri heqin dorë nga të gjitha kënaqësitë, për të jetuar jetën tonë të varfër.
Ne, misionaret e bamirësisë kemi vendosur të jemi të varfëra, sepse kështu mund t’i kuptojmë më mirë të varfërit e, përmes tyre, varfërinë e vetë Krishtit.
Një ditë një studente nga njëri prej universiteteve pariziane, erdhi të punonte në Kalkutë.
Kur arriti, ishte plot ankth. Dukej në sy.
Por pas pak javësh, si pati punuar në shtëpinë e njerëzve në prag të vdekjes, kërkoi të më takonte e më tha:
“Nënë, kam gjetur Zotin!”.
“Ku?” – e pyeta.
M’u përgjigj:
“E gjeta në shtëpinë e atyre që japin shpirt”.
“E ç’ bëre, pastaj?” – vijova ta pyesja.
“U dërgova prindërve një telegram, ku shkrova vetëm këto fjalë: “Gjeta Zotin!”.
Shpesh herë nuk duam t’i kemi shumë gjëra, që mund t’i gjejmë lehtë. Nuk i pranojmë me dashje.
Ndërkaq pranojmë me gëzim të rrimë 24 orë rresht me atë soj njerëzish, me të cilët nganjëherë nuk mund të shkëmbejmë as dy fjalë.
Herë-herë rrimë me të varfër nga më të varfërit, që janë të palarë e të mbuluar me krimba.
Herë tjetër - me të gërbulur, me njerëz të braktisur, me ata që s’kanë strehë,, me të sëmurë në prag të vdekjes.
Është një mrekulli e vërtetë të shikosh gëzimin e madhështinë e dashurisë në fytyrat e motrave tona të reja.
Po, është një mrekulli e gjallë, që i prek thellë mijëra njerëz, madje edhe jo të krishterët, që kanë mundësi të na njohin nga afër.
Motrat tona janë gjithë gëzim e japin kështu shembullin më të mrekullueshëm të fesë së jetuar me hare.







All the contents on this site are copyrighted ©.