Kardinali Bertone mbi të vërtetën në botën e sotme. Pëtering kundër propozimit që
Selia e Shenjtë të bëhet OJQ
(20.08.2007 RV)Ka filluar pra dje
në Rimini të Italisë, takimi tradicional vjetor i anëtarëve të lëvizjes katolike „Bashkim
e çlirim“, i cili siç e kujtoi edhe Papa Benedikti XVI në përshëndetjen e vet, ka
si temë „Të vërtetën dhe fatin për të cilin jemi krijuar“. Temat e diskutuara në ditën
e parë të punimeve, që zgjasin gjithë javën, kishin të bënin sidomos me identitetin
e Evropës dhe me sfidat e kulturës bashkëkohore. Mesha e hapjes, dje paradite, u kremtua
nga sekretari i shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, i cili ka marrë
pjesë në Takim edhe herë të tjera, por kësaj radhe, për herë të parë, merr pjesë si
sekretar shteti. Në impenjimin e vështirë për të ndërtuar një shoqëri evropiane,
qytetarët e kontinentit të vjetër po përballen me koncepte të ndryshme të së vërtetës,
me të cilat kanë hyrë në dialog prej kohësh, jo pa vështirësi. Ç’do të thotë të kërkosh
të vërtetën e pastaj, cilën të vërtetë kur ke përpara njerëz të feve të ndryshme?
Këtyre pyetjeve u përgjigjet vetë kardinali në mikrofonin tonë: Edhe në homelinë
e meshës citova një shprehje shumë të bukur të Gjon Palit II në Enciklikën „Feja dhe
arësyeja“, ku Papa e përkufizon njeriun si „ai që kërkon të vërtetën“. E Shën Agustini
bën pyetjen e famshme: „Çfarë kërkon njeriu me më tepër zjarr se të vërtetën?“ Është
në natyrën, në vokacionin e thellë të çdo njeriu, të çdo lloj feje, të çdo lloj race,
të çdo lloj prejardhjeje, intelektual ose jo, është në natyrën e tij kërkimi i së
vërtetës, që e pasuron gjithnjë e më tepër dhe e sjell në prag të qenies absolute.
Prandaj kërkon jo një të vërtetë të pjesshme, të bazuar vetëm mbi faktet, e as një
të vërtetë thjesht shkencore. Shkencëtarët e mëdhenj e kanë tejkaluar vetveten, rezultatet
e punës së tyre kërkimore-shkencore dhe janë hapur ndaj së pafundmes. Shumë shkencëtarë
të mëdhenj. Atëherë, konfrontimi është pikërisht mbi të vërtetën absolute, mbi bashkimin
e të vërtetave të pjesshme në një mozaik për vizionin mbi njeriun, për vizionin mbi
shoqërinë e trashendentalen, mbi botën e përtejme. Pra, konfrontimi në kërkimin e
së vërtetës dhe arritja tek Absoluti, është i mundur. Gjatë këtyre ditëve, kam lexuar
ditarin e Selinës, motrës së Shën Terezës së Jezusit Fëmijë. Selin ka gjetur shprehje,
mendime të filozofëve kinezë të 3000 vjetëve më parë, të cilat arrijnë në të njëjtin
rezultat, që thonë se njeriu më i madh është ai që ka një zemër fëmije. Pra, është
e mundur konvergjenca drejt së vërtetës së përbashkët, që e pranojnë të gjithë, edhe
nëse vijmë nga vende, fe, përvoja e qytetërime të ndryshme. Njeriu i kohës
së sotme duket i çorientuar në kërkimin e kësaj të vërtete. Shpesh deklarohen statistika
për fondamentalizmin, por asnjëherë mbi relativizmin që ka hyrë në sjelljet e njeriut
modern. A thua në këtë periudhë historike sulmi i Qoftëlargtit mbi shoqërinë njerëzore
është më i fortë? Natyrisht ekzistojnë shenja të dukshme, të përhapura të këtij
sulmi. Të mendojmë për shembull, për dhunën që është kaq e përhapur dhe që shpërthen
gati papritur pikërisht në vendet që duhet të jenë shenjtore dashurie: brenda vetë
familjes, brenda forumeve të bashkimit, të pajtimit, të miqësisë; dhuna që shpërthen
nga ana e feve. Fetë janë në thelb, automatikisht të krijuara për paqen, sepse shohin
drejt të njëjtit Zot për të gjithë. Këto janë shenjat e sulmeve të tmerrshme që bën
Qoftëlargu në kohën tonë, të cilat duhet t’i përballojmë me një fe të fortë, me fenë
e atij që ndjek Krishtin, autor e perfeksionues i fesë, siç thotë Letra drejtuar Hebrenjve
në të dielën e 20-të të vitit liturgjik. Dikush do të dëshironte që Kisha
të ishte një organizatë joqeveritare. Nga Uganda apo nga gazeta britanike „The Economist“
janë hedhur ide për të kufizuar rolin diplomatik të Shtetit të Vatikanit. Ç’mendoni
për këtë? Është absurde. Mjafton të shohësh historinë e Kishës, identitetin
origjinal të Kishës, peshën institucionale të Kishës si subjet i së drejtës ndërkombëtare
e mjafton të shohësh edhe studimet e internacionalistëve të mëdhenj. Kisha ka një
peshë të tillë sa nuk mund të deklasohet në një organizatë të thjeshtë joqeveritare. Mbi
këtë pikë të fundit, pyetëm edhe një laik, që natyrisht nuk është as meshtar, as kardinal,
por bën pjesë në atë aradhe njerëzish, në duart e të cilëve qëndrojnë vendime të rëndësishme.
Është fjala për Hans-Gert Pëtering, president i Parlamentit Evropian. Kujtojmë se
ky parlament e ka dënuar 32 herë Selinë e Shenjtë në rezolutat e veta, por, ironi
e fatit, vetëm 8 herë Kubën e Fidel Kastros e vetëm 10 herë Kinën komuniste. Ta dëgjojmë
se ç’mendon Hans-Gert Pëtering për propozimin, sipas të cilit Selia e Shenjtë duhet
kthyer në një organizatë joqeveritare… Nuk mendoj se është ide e mirë, pasi
ekziston vazhdimësi ndërmjet historisë evropiane dhe asaj të krishterë. Askush nuk
e vë në diskutim për shembull Komonuelthin. Edhe për të mund të thuhet se është diçka
anakroniste. Unë mendoj se influenca shpirtërore e Kishës mund të ndihmohet nëpërmjet
këtij roli që ka ajo në të drejtën shtetërore dhe ndërkombëtare. Në fakt, kjo influencë
nuk përdoret për të dominuar apo për të ushtruar hegjemoni, por për t’u shërbyer njerëzve. Në
këtë perspektivë, funksioni zyrtar që Kisha ka në kuadrin e diplomacisë duhet parë
në perspektivën e shërbimit të saj për njerëzit. Kjo pozitë e veçantë e Kishës ka
vlerë të madhe e pikërisht këtë duhet të mbrojmë.