2007-08-18 14:05:26

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(19.08.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, e diela XX e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, u përkujtuan edhe Shën Gjoni Eudes, meshtar, themelues i Eudistëve, Shën Siksti papë e Shën Manji martir
Në çdo kohë Zoti ngjall njerëz që, në mënyrë të mrekullueshme, u kujtojnë të gjithëve besnikërinë ndaj emrit të Tij e besëlidhjes me të. Të tillë ishin Shën Bernardi abat e doktor i Kishës, Shën Samueli profet e Shën Maria de Matias, virgjër, themeluese e Motrave Adhuruese të Gjakut të Krishtit, që Kisha do t’i kremtojë të hënën.
Të martën, në përkujtimin e Shën Piut X papë, na kujtohet britma e Gjedeonit, që shpesh e përsërisim dhe ne: “Ku është Zoti?”. Por, është Zoti larg prej nesh, apo është zemra jonë, tepër e lidhur me të mirat materiale, larg prej tij. Piu X u përpoq t’i përgjigjej kësaj pyetjeje me reformat e tij baritore. Po ne, a përpiqemi ta reformojmë jetën tonë, duke iu afruar Zotit, që dëshiron të na ketë pranë?
Të mërkurën Kisha do të kremojë Virgjërën Mari Mbretëreshë. Duke ia ngulur sytë Marisë së ngjitur në Qiell e të kurorëzuar Mbretëreshë, kuptojmë se ajo vijon, nga lart, të na shoqërojë me kujdesin e saj amtar. Maria është e tillë, sepse besoi në fjalën që iu kumtua nga Zoti.
Festa kremtohet në mbarë Kishën, por edhe në vise e kongregata të veçanta. E kremtojnë Motrat Misionare të Bamirësisë të Nënë Terezës, ndërsa në Shqipëri do të jetë në festë fshati Gramzë.
Shën Roza e Limës (Drandja) virgjër, terciare domenikane, Shën Abondi, Shën Ireneu, Shën Qiriaku e Shën Arkelau, martirë, që do të kremtohen të enjten, na kujtojnë se çdo ditë qëllimi ynë kryesor duhet të jetë takimi me Zotin. Ai është pasuria jonë e vërtetë. Por për t’u takuar me Zotin, duhet që zemra jonë të jetë e pastër e ne, të gatshëm për ta pritur në përvujtëri e pendesë.
Kujtojmë se Shën Rozën e kremtojnë motrat dominikane, me mision edhe në vise të ndryshme të Shqipërisë. Jeruzalemi qiellor është simbol i Kishës që mbështetet mbi dëshminë e 12 Apostujve, ndërmjet të cilëve, Bartolomeu, që do të kremtohet të premten e ardhshme. Nuk iu afrua menjëherë Jezusit, ashtu si Apostujt e tjerë. Por kur e takoi, ky njeri pesimist e plot dyshime, ndryshoi aq shumë, sa të derdhte pa kurrfarë ngurimi edhe gjakun për Mësuesin. Këtë na kujton liturgjia e festës së Shenjtit Apostull.
Shën Ludoviku (Luigji IX), mbret i Francës e shën Jozef Kalasancio, meshtar, themelues i Skolopëve që do të përkujtohen të shtunën e ardhshme, na kujtojnë se atje ku Zoti bekon, lulëzon gjithë jeta!







All the contents on this site are copyrighted ©.