2007-08-18 14:05:10

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’, emisioni XVI.


(19.08.2007 RV)‘Të shkëputesh nga bota e ta quash kotësi gjithçka bota e shikon si qëllimin kryesor të jetës. Të shkosh kundër rrymës, duke zgjedhur me vullnet të lirë varfërinë, në sa bota rend pas pasurisë; të mbathësh sandale fare të thjeshta, me bindjen se thjeshtësia e tyre t’i shtyn këmbët larg nga mëkati, në rrugën që të çon tek të varfërit, dmth tek Krishti’. Kjo është karizma e Nënë Terezës dhe e motrave të saj, e për këtë na flet e Lumja shqiptare në emisionin XVI të ciklit tonë radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’.
Krishti në të varfërit
Veshja na kujton se jemi shkëputur nga bota e nga kotësitë e saj.
Kur e veshim, lutemi kështu: “Po e vesh, që bota të mos ketë kurrfarë kuptimi për mua, e as unë për botën; që sari të më kujtojë petkun e bardhë të Pagëzimit e të më ndihmojë ta mbaj zemrën time larg prej mëkatit”.
E ndërsa mbathim sandalet, themi këtë lutje: “Me vullnet të lirë, o Krisht, do të ec pas Teje kudo që të shkosh në kërkim të shpirtrave, pa marrë parasysh asgjë, veç dashurisë për Ty”.
Shumica e motrave tona vjen nga India (e është e natyrshme, sepse Kongregata jonë e ka zanafillën pikërisht në Indi).
Por në Romë kemi një noviciat me dëshirtare që përfaqësojnë 18 kombe të ndryshme të Evropës e të Amerikës.
Një noviciat tjetër e kemi në Australi. Kohët e fundit hapëm një të tretë në Afrikë, duke pasur parasysh se në këtë kontinent rritet çdo ditë numri i thirrjeve të reja për rrugën tonë.
E pastaj edhe në Filipine, në Poloni…
Vajzat që hyjnë në Kongregatën tonë zakonisht vijnë nga shtresat e mesme e të ulta.
Gjëja më e bukur që kanë këto të reja, është përkushtimi i tyre i plotë dhe vendosmëria për t’ia dhuruar gjithë vetveten Krishtit.
Të gjitha memëzi ç’presin të jetojnë në varfëri të vërtetë
Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk mund t’i njohësh vërtetë të varfërit, pa e provuar jetën e tyre.
Për këtë arsye varfëria e institutit tonë është liria jonë e forca jonë.
Misionaret e bamirësisë janë plotësisht të bindura se sa herë që i ndihmojnë ose i prekin të varfërit, prekin vetë Korpin e Krishtit nën dukjen e dhimbjes.
Është Krishti ai, të cilit i shërbejmë ndër të varfërit; prandaj nuk mund t’u afrohemi atyre me fytyrë të mvrejtur.
Kongregata jonë ka për detyrë t’i japë të hajë Krishtit që ka uri; ta veshë Krishtin e zhveshur, ta mjekojë Krishtin që është i sëmurë, t’i japë një strehë Krishtit, që s’ka çati mbi kokë.Është një mrekulli e vërtetë të shikosh sesi të rejat tona i kushtohen plotësisht e me dashuri të sinqertë shërbimit të të varfërve të Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.