2007-08-17 17:20:57

OKB:konferencë ndërkombëtare për Irakun e Lindjen e Mesme në shtator


(17.08.2007 RV) Pas zinxhirit dramatik të vrasjeve të ditëve të kaluara në Irak, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun njoftoi se në fund të shtatorit do të mblidhet një konferencë ndërkombëtare për të diskutuar mbi të ardhmen e vendit. Atentatet e fundit kthyen në gërmadhë një fshat kurdësh, duke shkaktuar vdekjen e mbi 400 personave nga bashkësia fetare e jaxidëve.

Atentat në shtëpinë e guvernatorit të Kandaharit në Afganistan. U vranë guvernatori dhe tre fëmijët e tij. Dhunë ka pasur edhe në zona të tjera, ku janë vrarë 10 persona të tjerë.

Në Rripin e Gazës, ushtarë izraelitë kanë hedhur në erë një tunel të nëndheshëm, 700 metra larg kufirit me Izraelin. Sipas tyre, tuneli përdorej nga organizata palestineze Hamas për të kaluar milicët e vet në shtetin hebraik.

Akuza të rrepta nga Arabia Saudite drejtuar Sirisë, fajtore për destabilizimin e Lindjes së Mesme. Është përgjigjia që shtëpia mbretërore saudite i jep deklaratës së djeshme të zv.presidentit sirian Faruk al Shara, i cili theksoi se mbretëria vahabite nuk luan një rol pozitiv në rajon. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë keqësuar që dy vjet më parë, me vrasjen e ish-kryeministrit libanez Rafik Hariri, i mbështetur nga Arabia Saudite, por i kundërshtuar fuqimisht nga sirianët, që akuzohen edhe si organizatorët e vrasjes.


Trupa ruse dhe kineze kanë kryer një stërvitje ushtarake të përbashkët në Çerbakul, një rajon rus në Urale, gjatë së cilës është simuluar një sulm mbi një qytet të rënë në duart e rreth njëmijë terroristëve. Të pranishëm në këtë stërvitje pa precedent, dy krerët e shteteve, rusi Vladimir Putin dhe kinezi Hu Hintao sëbashku me homologët e katër vendeve të Azisë qendrore: Kazakistanit, Kirgizistanit, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit – anëtarë të “SCO”-së, organizatës për bashkëpunim ushtarak rajonal, krijuar në vititn 2001 me qëllim kundërpeshimin e pranisë së NATO-s në rajon. Është hera e parë që krerët marrin pjesë në një stërvitje të tillë.


Bosnjë-Hercegovina rrezikon një krizë të rëndë për mungesë ushqimesh. Sipas shtypit lokal, rezervat e grurit mjaftojnë vetëm për dy javë. Thatësira e kësaj vere ka shkatërruar mëse 40% të të korrave. Importimi i grurit nga Serbia e Kroacia duket i pamundur, për shkak të uljes së prodhimit edhe në këto vende. Serbia ka vendosur bllokimin e eksportit të grurit dhe Kroacia ka ndërmend të bëjë të njëjtën gjë. Ndërkaq, në disa zona të Bosnjës çmimi i bukës, vajit dhe sheqerit është dyfishuar e dyqanet po fillojnë të kufizojnë sasinë e mallrave për person.







All the contents on this site are copyrighted ©.