2007-08-17 18:46:29

Më 18 gusht Kisha perkujton Martirët e Ulpianës:ShënFlorin e Laurin


(17.08.2007 RV)RealAudioMP3 Tradita dymijëvjeçare e krishterimit në trevat shqiptare, nuk mund të mos i falte banorëve të këtyre trevave në shekuj edhe shenjtorë vendas, ose ungjillëzues të trevave ku banojnë sot shqiptarët. Dy prej tyre Kisha universale do t’i kremtojë nesër: janë Shën Flori e Shën Lauri.
Për t’i njohur më mirë figurat e tyre po kujtojmë:
Sikurse dëshmohet prej burimeve kishtare, Dyrrah-u pati qysh në vitin 56 një ipeshkëv të shuguruar.
Në kohën kur Shën Pali shkelte në Durrës, atje nisi shërbimin një ipeshkëv me emrin Cesar, i cili qe një nga martirët e parë të fesë së Krishtit, pra një nga shenjtorët më të hershëm të krishterimit.
I dyti ndër shenjtorët e botës iliro-shqiptare është shën Ashti (apo shën Asti), gjithashtu ipeshkëv i Durrësit, i martirizuar në vitin 117.
Shën Jeronimi (Hieronymus), një nga katër dijetarët e mëdhenj të kishës, që në shekullin e 4-t përktheu " Vulgatë-n", duke i dhënë Perëndimit të parin tekst të shkrimit të shenjtë në latinisht, ishte nga Stridoni i Dalmacisë, vend i banuar nga ilirët, gjë që e pohon vetë Shenjti në shkrimet e tij.
Pak a shumë në të njëjtën kohë, shën Niketa, i njohur edhe me emrin "shën Niketa i Dardanisë" apo "shën Niketa i Remessiana-s" (tek sllavët: "sveti Nikita"), kompozoi himnoren e mirënjohur "Te deum, laudeamus" - "Ty Zot të lavdërojmë". Të paktën që nga fillimi i shekullit të kaluar, kur britaniku A. E. Burn botoi në Cambridge (1905) monografinë "Niceta of Remessiana", dihet botërisht se ky shenjtor doli prej botës iliro-shqiptare. Vetë shën Niketa shkruan me dorën e tij: "Dardanus sum" - jam dardan.
Shenjtorë e martirë të tjerë pasuruan traditën e krishtërimit në Shqipëri duke ardhur prej visesh ku, për shkak të persekutimeve të jashtzakonshme, nuk patën mundësi të përhapnin Ungjillin e Krishtit.
Flori dhe Lauri, ose Floriani dhe Laurini, siç njihen shpesh dy vëllezërit binjakë, erdhën nga vise të largëta në shekullin e 2-të në Dardani, ku, me pëlqimin e sundimtarëve vendës, ngritën një kishë të krishterë, të cilën ia kushtuan Jezu Krishtit. Jetuan në gjysmën e parë të shekullit të 2-të dhe, kur persekutimi u shtri edhe në trevat ilire, u martirizuan në Kosovën e sotme, afër Prishtinës, duke mbrujtur kështu tokën e të parëve tanë me gjak të derdhur për të dëshmuar Krishtin.
Në fillimin e shekullit të pestë, sipas dëshmive të Atë Zef Valentinit (1929), shën Gjon Gojarti kaloi dy vite të vështira në brendësi të Ballkanit, saktësisht në tokën ilire. Një dëshmi e paraqitur një shekull më parë nga greko-shqipari Nikolaos Mystakidis bën të ditur se kishës së Labovës perandori Justinian i dhuroi një copë nga druri i shenjtë i kryqit të kryqëzimit të Krishtit dhe një dorëshkrim të artë të shën Gjon Gojartit.
Tradita e takimit të hapësirës shqiptare vazhdoi me shekuj. Në veri shën Sergji e Baku; në jug shën Gjon Vladimiri, deri tek shën Kozmai, tregojnë se bota shqiptare jo vetëm nuk ishte e largët për misionarët e shenjtë, por, madje, u krijonte atyre mjedise zhvillimi e lartësimi. Kjo nuk lidhet vetëm me krishtërimin, por me bashkësinë shqiptare në tërësi. Për ilustrim po lexojmë të plotë letrën e Ali pashë Tepelenës drejtuar të bindurve të tij, me porosinë për ringritjen dhe ruajtjen e manastirit të shën Kozmait:
"Juve rum të nahijes së Beratit, myzeqarë dhe vlleh grabovarë, katunde dhe çifliqe. Ju lajmëroj se ja ku vura një epitrop që të më ndreqë manastirin e plakut Kozma; ndihmova dhe unë me aspra e të ndihmoni dhe ju si t'ju thotë dhespoti, me qëllim që të ndreqet ky manastir. Për ata që nuk do të japin ndihmën e tyre, do të më mbetet hatëri dhe pastaj do të paguajnë dyfish. Sikundër ju urdhëroj ashtu të bëni pas këtij vendimi. (Në Gjirokastër, më 12 shtator 1813" ("Kodikët e Shqipërisë", bot. i DPA & Unesco-s, Tiranë 2003, f. 48)Dijetari austriak, Teodor Ippen shkruan se në malet e Shqipërisë së Veriut dikur shiheshin portrete shenjtorësh të kohës së paleokrishtërimit. Kjo nuk është provuar dhe as mohuar nga ndonjë studiues i mëvonshëm. Por në një përmendore tjetër të kulturës tradicionale, në të drejtën etnozakonore shqiptare, thuhet rreptë se "shtëpia e shqiptarit është e Zotit, e mikut dhe e shtegtarit", shprehje kjo e mirënjohur për të gjithë, por, për fat të keq pa shtojcën: "Kujdes, sepse nuk dihet kush troket: shenjti a përderësi".







All the contents on this site are copyrighted ©.