2007-08-17 18:53:30

Emisionin XV i ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’


(17.8.2007 RV)RealAudioMP3 Në emisionin XV të ciklit tonë radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’, sot e Lumja Terezë na tregon legjendën simbolike të gushëkuqit të vogël, me sytë e të cilit na mëson ta shikojmë Kryqin, që nuk duhet ta harrojmë kurrë, sepse është vend hiri; e pastaj na tregon edhe si vendosi të zgjidhte sarin e bardhë me vija blu, që tashmë është bërë i njohur në mbarë botën, si dhe pjesët tjera të veshjes së motrave të bamirësisë, që të gjitha me kuptim simbolik:
Gushëkuqi i vogël:
Nuk kemi asnjë arsye të shqetësohemi, të humbasim guximin ose të ndjehemi të mjera, sepse gjithçka bëjmë, e bëjmë për Krishtin.
Është ai që na thërret, Ai që thotë: “Pata uri e më dhatë të ha… !”.
E di se në botë ka miliona e miliona të varfër, por unë mendoj për ta një për një.
Jezusi ishte një. E unë kujtoj fjalën e Jezusit. Ai tha: “Ma keni bërë mua…!”.
Unë, Motrat e Vëllezërit e mi kujdesemi për çdo njeri, si të shikonim në të Jezusin.
E gjithçka duhet ta bëjmë më mirë se ata që janë në botë, me qenë se e bëjmë për Jezu Krishtin.
Në se do të na duket tepër e vështirë, duhet t’i kërkojmë Jezusit një pikë nga Gjaku i tij i paçmuar.
A e keni dëgjuar ndonjëherë legjendën e gushëkuqit të vogël?
Shikonte Jezusin në kryq, shikonte edhe gjembat.
Nisi të sillej rrotull e rrotull, derisa e gjeti mënyrën t’ia hiqte një gjemb, e në përpjekjen për ta hequr, u ther.
Secila nga ne duhet të jetë si zogu i vogël.
Gushëkuqi i vogël nuk e pati të lehtë ta shkulte ferrën: iu desh të mundohej e të shpohej.
Nuk duhet ta harrojmë kurrë Kryqin.
Është vend i hirit.
Kur vendosa ta bëj apostullimin tim ndërmjet të varfërve, mendova se një nga format më të frytshme e më bindëse për t’u pranuar prej tyre, mund të ishte veshja. Vendosa, prandaj, të vishesha si ata.
Në Indi sari që veshim ne, është si ai i të varfërve, ose i ngjet shumë.
E vetmja gjë që ndryshon në të, është kryqi i vogël, i varur në supin tonë të majtë në lartësinë e zemrës, për kujtim të vuajtjeve të Krishtit.
Vendosëm kështu të visheshim me sarin e grave indiane.
I shtuam shiritat blu, simbol i kryeultësisë së Marisë.
Kryqi prej druri në anën e majtë të kraharorit, simbolizon dashurinë tonë për Krishtin.
Sandalet që mbathim në këmbë, simbolizojnë rrugën tonë, të zgjedhur me vullnet krejtësisht të lirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.