2007-08-16 17:19:37

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’, emisioni XIV.


(16.08.2007 RV)RealAudioMP3 Në emisionin XIV të ciklit tonë radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’, njihemi me misionet e para të motrave të bamirësisë jashtë Indisë, kur Kongregata nisi të përhapej nëpër botë, më shumë me ftesën e autoriteteve kishtare, më pak, të atyre civile. Kështu u hap rruga për në Meksikë; në Guataemalë më pas… e në vende të tjera, sepse të varfërit nuk mungojnë kurrë, askund. Përkundrazi, janë edhe tepër, në sa nuk kanë as zë për t’i treguar botës të vërtetën mbi varfërinë, që është aq e tmerrshme, sa vetëm në se e ‘lyen shpirtin me vajin e lutjes’ – mund të qëndrosh deri në fund në shërbim të tyre, për hir të Krishtit. Këtë na tregon sot Nënë Tereza…
Motori i trupit duhet lyer me vaj.
Kudo që jemi, kemi shkuar për t’iu përgjigjur ftesës së ipeshkvit të vendit (ose të ndonjë autoriteti tjetër fetar).
Rrallë herë ftesa na vjen nga autoritetet civile.
Në Romë ftesa na erdhi nga vetë Ati i Shenjtë Pali VI.
Për grupin e motrave që shkoi në Meksikë më 1976, ku hapi një shtëpi (tani atje kemi tri shtëpi), ftesa erdhi nga vetë presidenti i Republikës.
Vetëm në Guatemalë i çova motrat si dhuratë nga ana e Indisë për t’i shërbyer popullatës së tronditur rëndë nga tërmeti.
Ishte i vetmi përjashtim: rregulli, në të gjitha rastet, ishte e është t’i përgjigjemi një ftese me shkrim nga ana e autoriteteve fetare.
Sot flitet shumë për të varfërit, por nuk flitet me të varfërit, e dihet pak për jetën e tyre të vërtetë.
Kështu mund të ndodhë edhe të flasësh shumë për lutjen e të mos dish të lutesh.
Duhet të ushqehemi. Përndryshe rrezikohemi të vdesim nga uria.
Duhet të furnizohemi vazhdimisht, ashtu si motori i makinës.
Në se pjesa më e vogël e makinës pushon së funksionuari, dëmtohet funksionimi i gjithë makinës.
Duhet vajosur motori.
Jetët tona duhet të lidhen vazhdimisht me Krishtin, që banon në shpirtin tonë.
Në se nuk e kemi gjithnjë Zotin në zemër, nuk mund të shërbejmë.

Një pikë ujë në oqean
Një herë, duke vizituar një nga shtëpitë e Kongregatës sonë, e gjeta bashkësinë të turbulluar, gjë që ishte krejt e jashtëzakonshme.
Nuk arrija ta kuptoja arsyen e asaj që po shihja me sytë e mi.
I pyeta motrat:
“A rrëfeheni rregullisht? A e vijoni gjithnjë mësimin e besimit?”.
“Jo, Nënë – m’u përgjigjën. Ka kohë që nuk e bëjmë as njërën as tjetrën”.
Ngula këmbë:
“E pse? Cili është shkaku i një mungese të tillë?”.
Më thanë:
“Sepse meshtari është shumë i zënë”.
Vendosa të shkoj tek ipeshkvi për t’i thënë:
“Me qenë se meshtarët tuaj nuk kanë kohë të kujdesen për shpirtin e motrave të mia, vendosa t’i largoj që këtu”.
E ky është i vetmi kusht që u vë ipeshkvijve: të marrin mbi vete kujdesin për shpirtin e motrave, duke u krijuar mundësitë të rrëfehen e të ndjekin mësimet e besimit.
Për të tjerat, varemi plotësisht nga Provania Hyjnore: e Zoti na ka treguar vazhdimisht se nuk na harron.
Nuk na harron, Ai që tha: “Pata uri e.. ma keni bërë mua”.
Prandaj të varfërit po bëhen gjithnjë më shumë shpresë shëlbimi për mbarë njerëzimin.
Do të gjykohemi sipas asaj që kemi bërë me ta e për ta.
Si vëllezërit Misionarë të bamirësisë, ashtu edhe Motrat, e dinë mirë këtë. Kjo është gjëja më e rëndësishme në jetën e tyre e në sjelljen e tyre.
Njëra e tjetra palë përpiqen të përkojnë me thirrjen që të varfërit i drejtojnë sot botës.
Besoj se bota sot po ia kthen shpinën të varfërve, e kjo është njëlloj si t’ia kthesh shpinën vetë Krishtit.
Ajo që bëjmë ne është vetëm një pikë uji, në krahasim me oqeanin.
Por në se nuk do ta bënim, në se nuk do ta shtonim këtë pikë në oqean, oqeani do të kishte një pikë ujë më pak.







All the contents on this site are copyrighted ©.