2007-08-15 17:12:07

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’, emisioni XIII.


(15.08.2007 RV)RealAudioMP3 ‘Misioni ynë është mision dashurie. Jemi mbledhur bashkë, sepse kjo na ndihmon ta kryejmë këtë mision: t’ia çojmë njerëzve Krishtin’ – me këto fjalë e nis tregimin Themeluesja e Motrave të Bamirësisë në emisionin XIII të ciklit tonë radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’. Tregon historinë e një vajze që erdhi nga universiteti….e të shumë të tjerave….
E reja që erdhi nga universiteti
Misioni ynë është mision dashurie.
Jemi mbledhur bashkë, për ta çuar Krishtin në shtëpitë e në zemrat e njerëzve.
Misionarja e Bamirësisë është njeri i dërguar nga Zoti.
Duke qenë Misionare të Bamirësisë, ne jemi të dërguara për të çuar dashurinë e Krishtit, për të dhënë prova se e duam vërtetë Hyjin e prova se Hyji e do botën e i do të varfërit.
Zoti do që t’i shërbejmë, për të treguar sa shumë i do njerëzit.
Ne, si përgjigje, e dëshmojmë dashurinë tonë për Hyjin, duke e shndërruar këtë dashuri në veprime konkrete, përmes shërbimit që u bëjmë të varfërve më të varfër.
Është një lloj shkëmbimi ndërmjet Zotit e nesh. Zotit i duhemi, që të dëshmojë dashurinë e tij për të varfërit përmes përkushtimit e shugurimit tonë; ne, nga ana jonë na duhet dashuria e Zotit, për t’u dëshmuar konkretisht njerëzve, të varfërve më të varfër, të gërbulurve, të gjymtëve, njerëzve që janë në prag të vdekjes, atyre që s’i do askush, se u shërbejmë pikërisht nga dashuria për Të. Kushdo qofshin, për ne janë vetë Krishti, që na shikon me sytë plot dhimbje të të varfërve më të varfër.
Kujtoj rastin e njerës nga motrat tona.
Sapo kishte ardhur nga universiteti.
Ishte bijë e një familjeje të kamur.
Në përkim me Kushtetutën tonë, të nesërmen e ardhjes, shkoi me simotrat e tjera të punonte në Shtëpinë e njerëzve në prag të vdekjes.
Para se të dilnin, u thashë:
“A e keni parë me sa dashuri e delikatesë e mbante meshtari Korpin e Krishtit gjatë Meshës? Ashtu të bëni edhe ju me korpin e atyre që janë duke dhënë shpirt, sepse në dhimbjen e tyre është vetë Jezusi”.
Tri orë më pas, kur u kthyen, njëra prej tyre, pikërisht ajo që kishte ardhur nga universiteti e kishte parë shumë gjëra, vrapoi në dhomën time e me një buzëqeshje fëmijnore, që ia mbushte fytyrën plot dritë, më tha:
“Nënë, kam prekur tri orë me radhë Korpin e Krishtit”.
E pyeta:
“Ç’ke bërë? Çfarë të ka ndodhur?”.
Ma kthei:
“Pak pasi arritëm, sollën një burrë që e kishin gjetur në rrugë të madhe, të mbuluar me krimba. Të them të vërtetën, nuk e pata të lehtë, por pastaj, kur kujtova se duke prekur atë, prekja Korpin e Krishtit, gjithçka ndryshoi”.
Kishim dërguar në Universitet një nga motrat tona, për të kryer studimet e lëna përgjysëm.
Pikërisht në ditën kur duhet t’i kryente, u sëmur për vdekje.
E ndërsa jepte shpirt, pyeti:
“Pse më thirri Jezusi për kaq pak kohë?”.
Iu përgjigja:
”Jezusi të do ty, jo veprat tua!”.
E ajo shkoi nga kjo jetë plotësisht e lume.
Pak muaj më parë, motrat tona gjetën një burrë të braktisur në një nga rrugët e Bombeit.
Në sa përpiqeshin për ta ngritur trupin, pjesa e prapme mbetej e ngjitur për dhé.
E shqitën me mundim dhe e sollën në shtëpi, pa mundur t’i shkëpusin as një fjalë të vetme.
Pak orë më vonë, duke i bërë banjo, panë se trupi i tij ishte kockë e lëkurë.
Atëherë i pyeta motrat:
“Çka ndjetë, kur e prekët?”.
Një nga motrat, duke folur edhe në emër të të tjerave, tha:“Nënë, sa për mua, mund të them se nuk e kam ndjerë asnjëherë tjetër më pranë Krishtin, se kur prekja atë grusht eshtrash të lidhura vetëm me lëkurën, mbuluar me plagë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.