2007-08-15 17:13:35

Kardinali Etçegarai, nga Moska, na flet për takimin me Patrikun Aleksej II.


(15.08.2007 RV)RealAudioMP3 Sot kardinali Etçegaray kryesoi, në katedralen e Moskës, Meshën Shenjte për katolikët që jetojnë në kryeqytetin rus, me rastin e Solemnitetit të ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’. Hirësia e tij ishte edhe në Siberi, në Irkuck e në Novosibirsk: këtu kremtoi 10-vjetorin e shugurimit të katedrales katolike. Gjatë takimit të tij në Rusi, kardinali Etçegarai u takua edhe me Patrikun e Moskës e të të gjithë Rusive, Aleksej II. Për këtë takim, të dëgjojmë vetë kardinalin Etçegarai, me telefon nga Moska:

Përgjigje: - E takova edhe një herë patrikun Aleksej. Ju e dini se jemi miq të vjetër: vitin e kaluar e takova dy herë, në Moskë: ai vetë më kishte ftuar personalisht. Gjatë 30 vjetëve të fundit kemi punuar së bashku për Evropën. Mund të them se e ndjej veten shumë pranë tij, më duket si ta kisha vëlla. E takova, pra, ai më priti, e biseduam gjatë e shumë miqësisht; pastaj Benedikti XVI më kishte dhënë me vete edhe një mesazh personal për Aleksejn II, mesazh të cilin Patriku e vlerësoi shumë. Mund të them, prandaj, se në marrëdhëniet tona nuk ka kurrfarë vështirësie…

Pyetje: - Ju sigurisht e dini se të gjithë shpresojnë në një takim të mundshëm të Papës me Aleksejn II…

Përgjigje: - Të gjithë flasin për këtë prej shumë kohe; është e qartë se vetë Patriku, në radhë të parë, e Benedikti XVI, ashtu si Gjon Pali II, e dëshirojnë sinqerisht e me gjithë shpirt këtë takim… që do të realizohet, po kur? Këtë nuk mund ta thotë askush, sepse për të dy, shqetësimi më i madh është që të jetë takim në të vërtetën, e jo një shfaqje mediatike, sa për të thënë se u takuan: jo! Të dy duan që takimi të jetë sa më i përgatitur e të realizohet në kushte të qarta vërtetësie e dialogu të thellë. Shpesh shtypi e ka zakon të trillojë nga pak, kur i përshkruan ngjarjet, ta thjeshtësojë ose ta idealizojë realitetin, që edhe pa trillime, është mjaft i ndërlikuar. Kjo nuk duhet harruar! Sa filluam bisedën tonë private, Patriku Aleksej II më foli për nismat e shumta, që tashmë i marrin së bashku katolikët e ortodoksët e Rusisë; e gjithë kjo, që po bëhet në forma nga më të ndryshmet, nuk mund të mos të na prekë, sepse është diçka krejt e re. Kështu nuk duhet të mbetemi gjithnjë tek pyetja mbi vendin e datën: duhet të kemi besim…







All the contents on this site are copyrighted ©.