(15.08.2007 RV)Solemniteti i 'Të
ngjiturit të Zojës në Qiell' është një nga festat më të dashura për devocionin popullor.
Kujtojmë në këtë festë të ngjiturit e Virgjërës Mari në Qiell me shpirt e korp, ashtu
siç ka besuar gjithnjë Kisha, që nga zanafilla e saj e ashtu si, më pas, Piu XII e
shpalli solemnisht më 1 nëntor 1950. Po cila është domethënia dhe historia e kësaj
të vërtete të fesë? Përgjigje: - Po nënvizoj së pari, domethënien e kësaj
feste, e pastaj historinë e saj. Sharl Pegyi, në fillim të shekullit XX, arriti të
kuptonte sëmundjen tipike të njeriut bashkëkohor dhe e shprehu kështu: “Njeriu modern
vuan nga harresa e amshimit. Ka harruar se ka përjetësi, ka harruar se ka një jetë
tjetër, të pasosur e se pikërisht ajo është jeta e vërtetë.”. E kjo është më se e
saktë. Sot në pyllin e zhurmave e të klithmave të konsumizmit, njeriu rrezikohet të
shkojë krua më krua pa mundur ta shuajë etjen, pa shpresën që ndriçon jetën. Festa
e sotme është ftesë për t’i lartuar sytë drejt amshimit, për të shikuar lart e për
të kujtuar se jeta e njeriut nuk mbaron këtu poshtë; jeta nuk përfundon në të sotmen;
jeta tokësore shkon drejt jetës së pasosur, që përplotëson gjithçka e përmban kuptimin
e gjithçkaje. Jeta është shtegtim. Eshtë e pasosur. Në kraharuar kemi një orë, zemrën,
që mat të gjithë sekondat e që na kujton: “Je në shtegtim! Po ecën! Mos u ndalo!
Shiko larg: kush shtegton duhet të mendojë gjithnjë për cakun! Festa e sotme tingëllon
si një thirrje. Është thirrje për t’i kujtuar njeriut që shtegton: “Kujdes, kij mendjen,
mos e lërë veten të gënjehesh nga joshjet që të presin rrugës: më e bukura vjen pas.
Bukuria shfaqet në fund. E vetëm në perspektivën e kësaj ardhmërie ndriçohet e sotmja
e fitojnë kuptim të gjitha provat e jetës.
Pyetje: - Si ka evoluar kjo
e vërtetë feje në rrjedhë shekujsh?
Përgjigje: - E vërteta e të ngjiturit
të Virgjërës Mari në Qiell me shpirt e korp është ruajtur gjithnjë në kujtesën e Kishës.
Si në Kishën lindore, ashtu edhe në atë perëndimore. Kisha lindore ka pasur gjithnjë
devocion të madh për fjetjen e Marisë e, po në lindje, kemi një ikonografi tepër interesante,
e cila e paraqet Marinë që jep shpirt e rrethuar nga Apostujt, së në ditën e Rrëshajëve,
ndërsa Jezusi pret shpirtin e Nënës, siç pritet një vajzë e vogël, për ta paraqitur
para Zotit. E kjo vajzë që Jezusi e merr ndër krahë, nuk është tjetër, veçse Maria
që hyn në mbretërinë qiellore si fryt i parë i të shpërblyerve nga gjaku i Krishtit.
Në traditën e përendimit festa e të ngjiturit të Marisë në Qiell mund të thuhet se
ka rrënjë që s’mbahen mend e, në vitin 1950 Ati i Shenjtë, Piu XII, si interpretues
me autoritet i traditës së fesë, me të drejtë tha: “E gjithë kjo vjen në ditët tona
që nga koha e Apostujve”; e vjen nga koha e Apostujve, sepse vjen nga një fakt që
ka ndodhur me të vërtetë: domethënë se Maria është ngjitur vërtetë në Qiell me shpirt
e korp.
Pyetje: - Gjithsesi, në përkufizimin e tij dogmatik, Piu XII
nuk thotë se Maria vdiq me të vërtetë. Përkufizimi tingëllon kështu: “Në mbarim të
jetës së saj tokësore, Zoja e Bekuar u ngjit me shpirt e korp në Qiell”. Opinionet
në këtë drejtim janë të ndryshme. Ju si mendoni?
Përgjigje: - Ati i
Shenjtë nuk deshi të hynte në këtë problem; ia la teologëve që ta thellonin. Por unë
besoj se ashtu si vdiq Jezusi, vdiq edhe Nëna e Tij. Besoj pra se edhe ajo e provoi
vdekjen. Por Maria nuk provoi kalbjen, që vjen pas vdekjes: trupi i saj u shndërrua
dhe hyri në plotninë e ringjalljes, në plotninë e jetës së re që Krishti e fitoi për
të gjithë neve, si fryt i parë, për të na kujtuar fatin tonë, të ardhmen tonë. E më
duket gjë e bukur ta thelloj këtë teologjikisht, duke pyetur: “Pse Jezusi deshi që
Maria të ishte e para për të marrë pjesë në lumninë e ardhshme që i pret të gjithë
të shëlbuarit?”. Unë besoj se arsyeja duhet të jetë krejt e thjeshtë: Maria është
tepër e afërt me Jezusin, është ajo që i dha Krishtit gjak e korp për të na shpërblyer.
Jeta e Marisë është e tëra bashkim me birin. Nuk mund të mendohet lumnia e Birit,
pa pjesëmarrjen e Nënës. E ne mund të themi se të ngjiturit e Marisë në Qiell me shpirt
e korp nuk është tjetër, veçse hiri që Biri i jep Nënës, sepse i dha korpin që e bëri
shëlbues. Prandaj e bëri pjesëmarrëse në historinë tonë për të na shpëtuar përmes
dashurisë së Jezusit, duke bërë që në historinë njerëzore të hynte dashuria që shëlbon.
Pyetje: - Mesazhi i festës për dëgjuesit tanë…?
Përgjigje:
- Dëshiroj t’u kujtoj të gjithëve se, për fat të keq, sot çdo solemnitet i krishterë,
shoqërohet me një solemnitet pagan. Kremtojmë të ngjiturit e Zojës në Qiell, por edhe
kulmin e gushtit; ashtu si Krishtlindjen e krishterë e atë pagane. E njëjta gjë edhe
për Pashkët. Ne duhet të kemi guximin t’i dallojmë mirë këto festa. Për ne 15 gushti
nuk është kulmi i gushtit, nuk është zemra e pushimeve; s’është deti as mali. Është
një britmë që dëgjohet nga Qielli, që na kujton se, në sa jemi ende në tokë, nuk duhet
ta harrojmë cakun, sepse kur shtegtari harron për ku është nisur, humbet rrugën. Ndërsa
kur kujton cakun, shtegton me gëzim, edhe kur i duhet të kalojë prova, sepse e di
mirë që në fund të udhës është një shtëpi, që e pret.