2007-08-14 16:33:27

Tension politik në Turqi: Gyl kandidat për president


(14.08.2007 RV)RealAudioMP3 Tension politik i lartë në Turqi, ku partia e kryeministrit Erdogan ka caktuar sërish si kandidat të vetin për president, ministrin e jashtëm aktual, Abdullah Gyl. Tre muaj më parë, kandidatura e tij pati shkaktuar një krizë institucionale, që arriti më pas në zgjedhjet e parakohshme. Opozita, sidomos ushtarakët, deklaruan atëherë si tani, se me zgjedhjen president të një myslimani të flaktë, kompromentohet laiciteti i shtetit. Cilat janë skenarët që hapen para Turqisë? Në mikrofonin tonë Luço Leante, korrespondent i agjensisë italiane ANSA në Ankara:
Skenari që hapet është se në votimin e parë e të dytë, kur duhen dy të tretat e votave, ka mundësi që Gyl të mos zgjidhet president. Mund të zgjidhet në votimin e tretë, kur kuorumi i nevojshëm do të jetë shumica absolute. Kjo do të hapë skenarë të frikshëm për Turqinë, pasi ushtarakët janë shprehur absolutisht kundër zgjedhjes së Gylit në postin e presidentit, si atëherë në prill, ashtu edhe në ditët e para të gushtit.
Në Turqi, presidenti shihet si figurë garante e laicitetit. Ushtarakët thonë se Gyl e çdo eksponent tjetër i partisë filoislamike që vjen nga Islami politik radikal, nuk garanton laicitetin e shtetit, sepse nuk është laik i vërtetë, është vetëm me fjalë.







All the contents on this site are copyrighted ©.