2007-08-14 16:22:35

Solemniteti i ‘Të ngjiturit të Zojës në qiell’ në Evropë: nga Roma në Mariacel.


(14.08.2007 RV)Romë: Sonte në Bazilikën patriarkale të Shën Marisë së Madhe në Romë, u kremtua nata e madhe e lutjes, me oficen e leximeve dhe Meshën Shenjte, kryesuar nga imzot Franko Gualdrini, ipeshkëv nderi i Terni-Narni-Amelias, koordinuar nga Qendra ‘Maria, Nënë e Kishës’ e gjallëruar nga rregulltaret ‘Bijat e Kishës”.
Më pas shtegtarët romakë do të nisen në këmbë drejt Shenjtërores së njohur mariane të ‘Dashurisë Hyjnore’, duke u përgatitur kështu, në shtegtim, për festën e madhe të ‘Të Ngjiturit të Marisë në qiell’. Proçesionit, që do të nisë udhën në mesnatë, do t’i prijë Zoja e mrekullueshme e Dashurisë Hyjnore, e vendosur në një karrocë, mbuluar me lule. Gjatë shtegtimit besimtarët do të luten për paqen dhe sigurinë e njerëzimit, për të sëmurët, për njerëzit e braktisur e të përjashtuar nga radhët e shoqërisë. Sapo të arrijnë në Shenjtërore, nesër, rreth orës 5 të mëngjesit, shtegtarët do të marrin pjesë në Meshën solemne të festës.

Në Otranto sivjet solemniteti është i veçantë: natën e ‘Të ngjiturit të Zojës në qiell’, kremtohet edhe festa liturgjike e Martirëve të Otrantos. Mesha solemne u kremtua sot paradite në katedralen e qytetit, ndërsa sonte kryeipeshkvi i vendit, imzot Feliçe Di Molfeta po i prin proçesionit me reliket e martirëve nëpër rrugët e qytetit. Janë martirët e mbytur për shkak të urrejtjes kundër fesë 530 vjet më parë, dekreti për shenjtërimin e të cilëve u shpall nga Benedikti XVI më 6 korrikun e kaluar. Ngjarje e largët, po që vijon të kujtohet, nga që martirët e Otrantos derdhën gjakun sepse nuk pranuan ta mohojnë Zotin e tyre.

Paris
Nata e Festës të ‘Të ngjiturit të Zojës në qiell’ po kremtohet në mënyrë krejt të veçantë në Paris: në sa ne përfundojmë transmetimin tonë, rreth 4 mijë shtegtarë nisin lundrimin në lumin Senë, mbi tetë anije, që po shkëputen nga bregu i Ke-Sen-Bernar. Shoqërojnë shtatoren prej argjendi të Virgjërës Mari, dhuruar qytetit nga mbreti Karli X. Gjatë proçesionit shtegtarët do të thonë Rruzaren shenjte, shoqëruar me meditime e këngë mariane, jehona e të cilave, nga brigjet e lumit që përshkon tej për tej Parisin, do të dëgjohet në të gjithë kryeqytetin francez.
Nesër pasdite, solemniteti i ‘Të ngjiturit të Zojës në qiell’, parizianët do ta dëshmojnë devocionin e tyre për Zojën e Bekuar duke marrë pjesë në proçesionin, që do të niset nga Kisha e Sent-Pierre, mbi kodrën Montmartre, për të arritur në orën 18. 00 në katedralen e Shën Marisë së Parisit, ku do të kremtohet liturgjia solemne eukaristike.
 Mariacel - Austri
Në Austri, shtegtimi i madh i të rinjve evropianë me temë ‘Rizgjim’, drejt Shenjtërores Mariacel po i afrohet cakut. Do të përfundojë nesër, në solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në qiell e, me këtë rast, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të solemnitetit, Ati i Shenjtë do të lidhet drejtpëdrejtë nga Kastel Gandolfo me Shenjtëroren Mariacel, për t’i përshëndetur shtegtarët e rinj e të gjithë besimtarët katolikë në festë.







All the contents on this site are copyrighted ©.