2007-08-14 16:23:42

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’, Emisioni XII.


(14.08.2007 RV)RealAudioMP3 Në emisionin e kaluar, Nënë Tereza na foli për hapat e para të Kongregatës së re, e cila nuk ishte miratuar ende, madje nuk kishte as emër. Kush ishin vajzat e reja që po mblidheshin rreth Nënë Terezës? Pse po mblidheshin? Ç’i shtynte të ecnin në rrugën e vështirë të varfërisë, me të varfërit, për të varfërit? Këtë na tregon Rregulltarja shqiptare në emisionin XII të ciklit tonë radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’ në të cilin na flet për simotrat e saj, që nisën të quheshin ‘Lajmëtare të dashurisë së Krishtit’ , për emrin e Kongregatës e për fillimin e vështirë…
Që asokohe vijojnë të vijnë të reja nga të katër anët e botës.
Kemi qindra thirrje të reja, të mrekullueshme. Kur kërkojnë të pranohen në radhët tona, të rejat shkruajnë kështu:
“Dëshiroj të ec në rrugën e varfërisë, të lutjes e të flijimit, që më çon atje ku vuajnë të varfërit”.
Në vitin 1950 Ati i Shenjtë e miratoi Kongregatën e Misionareve të Bamirësisë.
Miratimi ynë arriti nga Roma më 7 tetor 1950.
Duhet të them se nuk isha unë që e zgjodha emrin ‘Misionaret e bamirësisë’.
Emri erdhi vetvetiu, si pasojë e vetë thirrjes sonë.
Mendojmë se jemi lajmëtare të dashurisë së Hyjit, siç i quajnë motrat, për shembull, në një vend mysliman, si Jemeni, ku jemi i vetmi grup i krishterë.
Njerëzia na thërret lajmëtare të dashurisë së Hyjit, sepse na shikon duke e kryer me gëzim të jashtzakonshëm punën tonë të përvujtë, gjë që duket në fytyrat tona, të cilat shkëlqejnë nga lumturia e vërtetë shpirtërore.
Jepu të hanë mirë
Kisha marrë vendim që ushqimi ynë të ishte i njëjtë me atë të të varfërve të Kalkutës: oriz me kripë.
Por Motrat Misionare Mjeke të Patnës më bindën t’i ushqej mirë motrat e mia .
E unë e pranova këshillin e tyre.
Nëna Dengei më tha, pa më lënë kohë të kundërshtoj:
“Në se do të vendosësh që motrat tuaja të hanë oriz me kripë, do të bësh vërtetë mëkat. Pas pak kohe të gjithave do t’u ngjitet tuberkulozi e do të vdesin, pa kryer asnjë lloj shërbimi. Si mund të pretendosh të punojnë në kushte kaq të rënda, pa ushqimin e përshtatshëm për të mbajtur trupin? Të varfërit punojë pak, sëmuren shumë e vdesin të rinj. Dëshiron që edhe motrat e tua të kenë të njëjtin fat? Apo i do të shëndosha, të forta, të afta për të punuar gjatë për Krishtin? Mos më kundërshto, Nënë: duhet t’i ushqesh mirë motrat, në se dëshiron të punojnë për të varfërit.
Duke kujtuar këshillin e urtë të Nënës Dengel, u them gjithnjë motrave të mia:
“Puna që duhet të bëjmë kërkon trup të shëndoshë. Prandaj e kemi për detyrë të kemi trup të shëndoshë. Nuk hamë mirë, sepse na pëlqejnë gjërat e mira, por për t’i treguar Zotit tonë se dëshirojmë të punojmë për Të e me Të, për të jetuar një jetë plot flijime e pendesë.
Dezertimet janë shumë të pakta.
Ato që largohen, nuk e bëjnë këtë sepse jeta jonë është e vështirë.
Shumica e atyre që vendosin të kthehen në shtëpi, e bëjnë për arsye thjeshtë familjare.
Pavarësisht nga kjo, duhet të themi se Hyji është treguar shumë i mirë me institutin tonë.
Përqindja e motrave që e vijonë deri në fund jetën rregulltare në Kongregatën tonë, arrin në 97%.Në të vërtetë janë tepër të pakta ata që largohen nga ne.







All the contents on this site are copyrighted ©.