2007-08-14 16:39:08

Lajme të tjera nga bota


(14.08.2007 RV)Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun shprehu sot kënaqësinë e tij për lirimin e dy grave koreanojugore të kapura nga talebanët në Afganistan. Shpresohet tani edhe në lirimin e 19 pengjeve të tjerë, akoma në duar të sekuestruesve. Ndërkaq, në Kabul arriti kreu i shtetit iranian, Mahmud Ahmadinexhad, i cili në vizitën e tij të parë në vend, u takua me presidentin Hamdi Karzai. Në përfundim të bisedës, që kishte si objektiv zyrtar luftën kundër terrorizmit, Ahmadinexhad deklaroi se Irani nuk furnizon me armë dhe ndihma talebanët. SHBA-të dhe Britania e Madhe e kanë akuzuar shpesh Teheranin për këtë.


Në Pakistan dhe në Indi janë parashikuar shumë kremtime për të përkujtuar lindjen e të dyja shteteve, pas fundit të perandorisë britanike, në natën ndërmjet 14 dhe 15 gushtit të vitit 1947. Në të dyja vendet janë intensifikuar kontrollet nga frika e atentateve. Gjatë kohëve të fundit, konflikte të dhunshme kanë shpërthyer në zonën kufitare ndërmjet Pakistanit dhe Afganistanit. Ne luftimet me talebanët dhe terroristët e Al Kaidës, kanë gjetur vdekjen mëse 800 ushtarë pakistanezë.







All the contents on this site are copyrighted ©.