(13.08.2007 RV)Nënë Tereza nuk
mund të kuptohet pa Kongregatën që themeloi, e cila sot njihet në të katër anët e
botës përmes 700 misioneve të saj, që punojnë në 132 vende të ndryshme të Planetit.
Po në fillim Motra shqiptare kishte përkrah vetëm Zotin. Derisa një ditë trokiti porta.
… e pas kësaj trokitjeje të parë, porta e Nënës së Bamirësisë do të trokiste vazhdimisht
e vazhdimisht, e vijon të trokasë e urojmë që të vijojë akoma e akoma…Për këtë na
flet Themeluesja e Kongregatës së bamirësisë, në emisionin XI të ciklit tonë radiofonik
“Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime’, duke na përshkruar sot si erdhën
‘Dymbëdhjetë motrat e para’: Në mars të vitit 1949, pikërisht ditën e Shën
Jozefit, dikush trokiti në portën time. E hapa: pashë figurën e brishtë të njerës
nga ish-nxënëset e mia. Më tha: “Nënë, erdha të rri me ty!”. Jeta ime është
tepër e vështirë. Thua mund ta përballosh? – e pyeta. M’u përgjigj se mundte e
kështu u bëra vet e dytë. Falënderova me gjithë zemër Zotin: ”Oh! Jezus, sa
i mirë je! Je ti që ma dërgove. Të falënderoj, o Zot, për mirësinë tënde!”. Duke
nisur nga viti 1949, nisën të vijnë edhe vajza të tjera, njëra pas tjetrës. Donin
t’i kushtoheshin plotësisht Hyjit; e këtë dëshironin ta bënin menjëherë. Zhvishnin
me gëzim saret e tyre të kushtueshme, për t’i zëvendësuar me sarin tonë të përvujtë. Vinin
me vetëdije të plotë për vështirësitë që i prisnin. (Kur një vajzë, bijë e një
kaste të vjetër fisnike vjen për t’i shërbyer të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë,
gjesti i saj s’mund të quhet ndryshe, veçse ‘revolucion’. Më i madhi e më i vështiri:
revolucioni i dashurisë).Motrat e para që hynë në kongregatën ende në fasha, ishin
nxënëset e mia të kolegjit të Shën Marisë së Loretos.