2007-08-13 17:12:13

Në pritje të arritjes së Papës në Austri, sot filloi shtegtimi i të rinjve në Shenjtëroren Mariacel.


(13.08.2007 RV)RealAudioMP3 Filloi sot në Austri shtegtimi i madh i të rinjve evropianë me temë ‘Rizgjim’ drejt Shenjtërores Mariacel. Shtegtojnë së bashku të rinjtë, duke u përgatitur kështu për dy ngjarje të mëdha: për vizitën e Papës në tokën austriake, më 7 shtator, dhe për Ditën Botërore të Rinisë të Sidneit, vitin e ardhshëm. Nisma do të përfundojë në solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në qiell e, me këtë rast, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të solemnitetit, Ati i Shenjtë do të lidhet drejtpëdrejtë nga Kastel Gandolfo me Shenjtëroren Mariacel, për t’i përshëndetur shtegtarët e rinj. Por, si lindi ideja për organizimin e një shtegtimi të tillë të të rinjve evropianë?
Pyetëm për këtë kardinalin Kristof Shënborn, kryeipeshkëv i Vjenës:
Përgjigje: - Ky takim i të rinjve është paksa fryt i takimit të madh të katolikëve evropianë, organizuar më 2004, kur u takuan edhe të rinjtë e Evropës qëndrore. E që atëherë na lindi ideja ta riorganizonim takimin e të rinjve edhe për jubileun e Shenjtërores Mariacel. Në perspektivë të vizitës së Atit të Shenjtë, ky shtegtim fitoi ngjyrime të reja. Jemi shumë të kënaqur që do të gjejmë këtu të rinj, të ardhur nga gjithë Evropa qëndrore.
Pyetje: - Ç’përfaqëson kjo dëshmi për ardhmërinë e Evropës?
Përgjigje: - Përfaqëson shumë gjëra e së pari, njohjen e të rinjve me njëri-tjetrin, mundësinë për të kaluar disa ditë së bashku të rinj që flasin gjuhë të ndryshme, ndonëse sot të gjithë marrin vesh anglisht e prandaj edhe kuptohen fare mirë duke folur në këtë gjuhë. Nga takimi mund të lindë e të rritet miqësia ndërmjet tyre, miqësi kjo që ka shumë rëndësi për ardhmërinë e të rinjve dhe të Evropës. Ka shumë rëndësi të kuptojnë se nuk janë armiq, edhe pse vijnë nga vende që kanë pasur tensione të mëdha ndërmjet tyre, si hungarezët e sllovakët, austriakët e çekët, e akoma, hungarezët e kroatët. Të gjithë këta popuj, që kanë pasur histori të ngatërruara, tani takohen e, në saje të të rinjve, gjunjëzohen së bashku për një ças reflektimi e lutjeje. Të rinjtë japin një dëshmi të përbashkët në fe. E kjo është shenja më e madhe e shpresës që buron nga ky takim.







All the contents on this site are copyrighted ©.