2007-08-13 17:11:17

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa i nxiti të krishterët të jetojnë me sytë drejtuar nga qielli.


(13.08.2007 RV)RealAudioMP3 “Të krishterët duhet ta kryejnë besnikërisht detyrën e tyre, duke menduar vazhdimisht për qiellin” – këtë porosi u dha besimtarëve Benedikti XVI gjatë lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, mbajtur në Kastel Gandolfo, duke ripohuar, më pas, sa e rëndësishme është të jetosh me urti e largapamësi. Pas lutjes mariane, Ati i Shenjtë i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për t’i ndihmuar popullsitë e juglindjes aziatike, që po kalojnë një situatë të vështirë, për shkak të përmbytjeve të mëdha të këtyre ditëve.
Solemniteti i Të ngjiturit të Zojës në qiell, tashmë fare afër - tha Papa - na fton të jetojmë një jetë krejtësisht të drejtuar nga e ardhmja, nga qielli, ku Virgjëra Mari na parapriu në gëzimin e parajsës. Fjalë këto, që buruan drejtpërdrejtë nga liturgjia e së Dielës XIX të kohës gjatë vitit kishtar:
“Posaçërisht faqja ungjillore, duke vijuar mesazhin e së dielës së kaluar, i fton të krishterët të shkëputen nga të mirat materiale, që në shumicën e rasteve janë të rreme, e të kryejnë besnikërisht detyrën e tyre me sytë drejt qiellit. Besimtari rri gjithnjë zgjuar e është vigjilent, që të jetë kështu gati për ta pritur Jezusin, kur do të vijë në lavdinë e tij”.
Përmes shembujve të jetës së përditshme – vijoi Papa – Zoti i nxit nxënësit e vet të jetojnë me këtë gatishmëri shpirtërore, ashtu si shërbëtorët e shembëlltyrës, që janë gjithnjë në pritje të zotërisë. Prandaj - theksoi Ati i Shenjtë – duhet të rrimë zgjuar, duke u lutur e duke bërë vepra të mira. U ndalua, kështu, tek leximi i dytë, shkëputur nga Letra drejtuar Hebrenjve, në të cilën shohim Abrahamin shtegtar, endacak, të udhëhequr nga feja, që jeton në çadër, duke u ndaluar në vise të huaja. Caku i tij – nënvizoi Papa – nuk është në këtë botë, por në parajsë. Edhe të krishterët e parë e quanin veten të huaj mbi tokë, duke shprehur kështu karakteristikën më të rëndësishme të Kishës: prirjen drejt qiellit.
“Liturgjia e sotme e Fjalës – vijoi Ati i Shenjtë - na fton të mendojmë ‘për jetën e pasosur”, siç e përsërisim sa herë themi Besojmën. Është ftesë për të jetuar me urti e largpamësi, duke pasur mirë parasysh fatin tonë, fundin tonë mbi këtë tokë, vdekjen, gjyqin e mbram, amshimin, ferrin e parrizin”.
Virgjëra Mari, që na ruan nga Qielli - u lut Papa – na ndihmoftë të mos harrojmë kurrë se këtu mbi tokë jemi në kalim e na mësoftë ta takojmë Jezusin.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, mendimi i Atit të Shenjtë shkoi tek popullsitë e juglindjes aziatike, të tronditura rëndë këto ditë nga përmbytjet e tmerrshme:
“Në sa shpreh pjesëmarrjen time të thellë në dhimbjen e popullsive të goditura nga fatkeqësia, e porosis bashkësinë kishtare të lutet për viktimat e të mbështesë nismat e solidaritetit për lehtësuar vuajtjet e shumë njerëzve të vënë në provë të rëndë. Uroj që këtyre vëllezërve e motrave të mos u mungojë ndihma e shpejtë e bujare e bashkësisë ndërkombëtare”.Në çastin e përshëndetjeve, posaçërisht festiv, Papa iu drejtua në mënyrë të posaçme polakëve, të cilët këto ditë shtegtojnë drejt shenjtëroreve mariane, pastaj shtegtarëve gjermanë e italianë, sidomos korit të të rinjve “Nxënësit e qiellit”e, së fundi iu lut përsëri Zojës së Bekuar të na ndihmojë t’i përgjigjemi besnikërisht thirrjes që Krishti i drejton çdo të krishteri për të ecur në rrugën e shenjtërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.