2007-08-11 15:56:47

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(12.08.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, e diela XIX e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, u përkujtua edhe Shën Gjovana Françeska de Shantal, rregulltare dhe i lumi Inoçenci XI, papë
Është zemra e njeriut ajo që e bën të shenjtë jetën e tij, ndonëse duke jetuar në këtë botë, nuk mund të mos i nënshtrohemi rregullave të saj. Jezusi e paguan taksën në Tempull, edhe pse zemra e tij është shumë më e madhe se tempulli, por shkon shumë përtej këtij gjesti, sepse nuk i bindet tempullit, por Atit qiellor. Ky reflektim buron nga liturgjia e festës së Shën Poncianit, papë e Hipolitit meshtar, martirë dhe Shën Gjonit Berkmans, jezuit, që Kisha do t’i kremtojë të hënën.
Të martën, në përkujtimin e Shën Maksimilian Kolbes, françeskan konventual e martir dhe të Shën Euzebit romak, liturgjia na kujton se bashkësia e vërtetë e nxënësve të Krishtit vë në qendër të vëmendjes të vegjlit e kujdeset për ta, që të mos humbasin. Të vegjlit janë më të pambrojturit, të vegjlit janë ata që i mbështesin gjithë shpresat në Zotin, të vegjlit janë mëkatarët.
Të mërkurën Kisha do të kremojë solemnitetin e Të ngjiturit të Zojës së Bekuar në qiell. T’i lutemi, në këtë solemnitet, Marisë, Nënës së Krishtit e Nënës së Kishës, me fjalët: ‘Shpirti yt, o Nënë, u bëftë shpirti ynë. Feja jote, shpresa jote e dashuria jote, u bëfshin tonat. U bëftë jona sidomos, dashuria jote për Hyjin!”.
Në Shqipëri festa kremtohet në të gjitha Kishat e, në mënyrë të veçantë, në Kaçë, Barbullush, Luz, Mamurras e Grudë-Fushë
Shën Shtjefni, mbret i Hungarisë e Shën Rroku, shtegtar, që do të kremtohen të enjten, na kujtojnë se duhet të mësojmë gjithnjë nga Zoti Hyj: ai është i mirë e i mëshirshëm me ne, na e fal çdo borxh. E ne bëhemi bij të denjë të Atit vetëm atëherë kur, si Ai, tregohemi të mëshirshëm ndaj të tjerëve e, pavarësisht nga padrejtësitë e zhgënjimet, vijojmë të falim.
Shën Rroku festohet në Shirokë, Rranxa të Bushatit, Kodhel, Lumardh e Baqel. Askush nuk mund ta ndryshojë planin e Zotit për burrin e për gruan; të krijuar sipas shembëlltyrës së Tij, ata takohen në dashuri, për t’u bërë një korp i vetëm, përgjithmonë. Bashkimi i burrit me gruan në martesë është shembëlltyrë e Zotit dashuri. Këtë na kujton liturgjia e festës së Shën Euzebit, të premten e ardhshme.
Në shekullin e 2-të, dy vëllezër binjakë që quheshin Flori e Lauri, erdhën nga vise të largëta, në Dardani ku, me pëlqimin e sundimtarëve vendës, ngritën një faltore të krishterë. Ia kushtuan Jezu Krishtit dhe nisën t’i shërbejnë bashkësisë që nisi sakaq të mblidhej në Kishën e re, derisa Flori e Lauri u martirizuan në Kosovën e sotme. Martirët e Ulpianës në Kosovë do të përkujtohen të shtunën e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.