2007-08-11 15:56:35

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’: (Emision X).


(12.08.2007 RV)RealAudioMP3 Në emisionin e kaluar të ciklit tonë radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime”, Rregulltarja e bamirësisë na foli për profesionin e saj të parë, si mësuese e gjeografisë, në një kolegj që ndiqej nga vajza të pasura. Por, kur u largua nga Kongregata e Zojës së Loretos, do t’i duhej të hapte shkollën më të pazakontë: në rrugë të madhe; të zevendësonte dërrasën e zezë, me një copë lëndine të pastruar nga bari e shkumbësin, me një karthje… Kështu, dalë-nga-dalë, nisi të formohej një Kongregatë e re, që ngrihej mbi themelet më të patundura në botë: themelet e dashurisë së Zotit. E sot, në emisionin X të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, e Lumja na njeh me shkollën e hapur nën një kumbull, që e ndiqnin ata, të cilët i quan: ‘Nxënësit e mi të parë të Moti Xhihl’:
Sapo u largova nga Kongregata e Loretos, shkova te Motrat e Patnas, siç quhen Rregulltaret Misionare Mjeke të Familjes Shenjte.
Duhet të bëja pak praktikë mjekësore, para se të hyja në shtëpitë e të varfërve.
Deri në atë kohë i qeshë kushtuar plotësisht vetëm mësimdhënies dhe e dija mirë se njohuritë e mia pedagogjike nuk do të më ndihmonin shumë, kur të hyja në kasollet e të varfërve.
Puna e parë që duhet të bëja, kur të shkelja në ato pragje mjerimi, duhet të ishte mjekimi i fëmijëve të sëmurë.
Shkollën tonë të parë për fëmijët e varfër e hapa nën hijen e një kumbulle, në parkun e Moti Zhihl.
Ditën e parë erdhën fare pak fëmijë: s’ishin më shumë se pesë.
Ishte data 21 dhjetor 1948: më kujtohet fare mirë.
Isha ulur mbi një trung rrëzë kumbullës.
Fëmijët, rreth meje.
Kur duhej shkruar ndonjë gjë, e bëja për tokë, me një karthje, në një copë të livadhit, që e kisha pastruar nga bari.
Shumë shpejt numri i nxënësve nisi të rritej.
Dalë-nga-dalë nisëm të sigurojmë edhe bankat. Kështu kushtet e mësimit u përmirësuan, derisa nuk kishte arritur akoma stina e shirave.
Pak para fillimit të rrebesheve, falë një lëmoshe bujare, mundëm të merrnim një dhomë me qira e ta shndërronin në klasë.
Kështu shkolla ishte e mbrojtur nga shirat.
Ndonëse nxënësit e mi nuk ishin fare të vegjël, m’u desh t’ia nisja punës duke u mësuar alfabetin: s’kishin parë kurrë shkollë me sy, sepse asnjë shkollë nuk i pranonte, ashtu të zhveshur, të palarë e të uritur siç ishin.
Prandaj, krahas alfabetit, u mësova edhe si të laheshin.Nuk vonoi e disa nga nxënëset e mia si dhe disa zonja të Kalkutës, që jepnin mësim ose që i kisha mësuar në kolegj, m’u bënë krah në këtë veprimtari pedagogjike të pashembullt, filluar në mes të rrugës, për fëmijët e rrugës!







All the contents on this site are copyrighted ©.