2007-08-11 11:33:22

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 19-të ‘C’


(11.8.2007 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 19-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Dëgjues të nderuar, është dhuratë e madhe të jesh bir e bijë e Zotit e, në njëjtën kohë, është edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme. Liturgjia e së kësaj së diele na ofron mundësinë të reflektojm mbi disa tema-udhërrëfyese shpirtërore siç janë feja dhe të përkormët, si stil i jetës së ithtarëve të Jezu Krishtit. Këto e kanë rrënjën e përbashkët në vetë personin e Jezusit në të cilin është i rrënjosur rrëfimi i fesë sonë e i cili Jezus me stilin e jetës së vet është bërë shembull për ne.
Në Ungjillin e dielës së kaluar, Jezusi na ka mësuar që e mira e vërtetë dhe më e çmuar që mund të fitojmë është Mbretëria e amshuar, në qiell. Për të pasur Mbretërinë e qiellit, në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi na jep këshilla të ndryshme si: “shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë!; bëni për vete strajca që nuk vjetërohen, thesar në qiell”; “jini gati, të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura, porsi ata që presin Zotërinë e vet kur kthehet”; “jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë né atë çast kur s’jua merr mendja”.
Nga këto mund të pohojmë se, porosia kryesore që Jezu Krishti na drejton në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele është pikërisht sjellja dhe qëndrimi ynë i drejtë që duhet të kemi ndaj të mirave tokësore e të synojmë të pasurohemi me ato të mira që nuk kalojnë e nuk perëndojnë kurrë.
Në këtë perspektivë porosia që buron nga të trija leximet biblike të kësaj së diele të 19-të gjatë vitit kishtar mund të përmblidhet në tri fjalë: shpresa, vigjilenca e besnikëria. Këto shprehin tri vlerat shpirtërore që karakterizojnë fenë dhe besimin e Besëlidhjes së Vjetër e të Re. Në qendër të këtyre tri vlerave mund ta vëjmë shpresën. Mirëpo baza e çdo gjëje, gati mund të themi po si rrënja apo themeli i çdo gjëje, duhet vënë besnikërinë: mbi to zhvillohet shpresa e vigjilenca.
Sipas Biblës, besnik para së gjithash është vet Hyji. Në të gjendet pasuria e hireve dhe e besnikërisë (Es 34,6); “të gjitha shtigjet e tija janë hir e besnikëri” (Ps 25,10); ai mund të krahasohet me një shkëmb (Det 32,4), sepse nuk dredhon e nuk largohet prej premtimeve të veta.
Mbi besnikëri të Hyjit mbështetët e zhvillohet në popullin hebraik virtyti i shpresës. Ajo karakterizoi jetën shembullore të patriarkëve, duke u nisur nga Abrahami (ai “shpresoi kundër çdo shprese: Rom 4,18); Moisiu që kapërceu me shpresë pengesat e vëna prej Egjiptianve kundër çlirimit të popullit hebraik; i tërë brezi i të liruarve nga robëria u ballafaqua me shtegtimin e gjatë nëpër shketëtirë duke shpresuar në Tokën e premtuar; pra mësimi i profetëve e edukoi popullin e Besëlidhjes të shpresonte në ndihmën e Hyjit në momentet kritike të historisë së vet, e sidomos të shpresojë në një ndërhyrje të ardhshme shpëtimtare të përgjithshme të Hyjit, i cili përfundimsht do të rivendoste Mbretërinë e vet të plotë e përfundimtare në Mesinë, Krishtin Shëlbues. Pritja e ndërhyrjeve të Zotit në ngjarjet njerëzore e sidomos pritja e “ditës” së ardhjes së tij përfundimtare bëri që pjekët e të përforcohet qëndrimi dhe sjellja vigjilente e çdo besimtari.
Kështu, besimtarët duhet të jenë të gatshëm ta njohin Zotin që kalon, duhet ta pranojnë kur të vije “dita” e tij. Pra nuk duhet të bien pre e dremitjes, e koprracisë, e gjumit, sepse janë “bijë të dritës e të ditës”, e jo pra “bijë të natës, as të errësirës” (1Tess 5,5).
Që të trija leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele të 19.të na tërheqin vëmendjen tonë mbi këto vlera shpirtërore.
Duke përkujtuar ngjarjet e jashtëzakonshme të daljes apo të lirimit, leximi i parë i kësaj së diele nga Libri i Urtisë (Urt 18,3.6-9) na kujton se si hebrenjtë që ishin bërë robë të Egjiptianëve, paten arsye të shpresonin në Zotin, i cili u premtoi atyre shpëtimin, ndërsa Egjiptianët i pati këcënuar me shkatërrim.
Leximi i dytë i kësaj së diele nga Letra e Hebrenjve (Heb 11,1-2.8-19) kujton se pikërisht bindja se Hyji është besnik ndaj premtimeve e mbështeti dhe mbajti fenë e shpresën e patriarkëve (Abrahamit e Sarës, Izakun e Jakobit).
Kultmi i këtij besimi në besnikërinë e Zotit është përjetuar në sprovën e rëndë së cilës i qe nënshtruar Abrahami kur iu kërkua flijimi i djalit të vet,Izakut.
Pjesa e Ungjillit (Lk 12,32-48), me një varg qortimesh e këshillimesh drejtuar dishepujve e turmës së ithtarëve të Jezusit, na përkujton se aspiratat, se synimet e të krishterëve shkojnë përtej të gjitha pasurive të tokës: na përkujton se të krishterët janë në pritje të “një thesari që nuk mbaron kurrë”, të “mbretërisë së Hyjit”; prandaj nuk mund të lejojmë të na zë gjumi apo të jemi të pakujdesshëm, por të jemi kurdoherë vigjilentë e të impenjohemi të jemi secili besnik në ushtrimin e detyrave që na janë caktuar e besuar.
Nga Ungjilli i së diele mësojmë se Jezusi çdo autoritet në bashkësi e ka lidhur me shërbim; jo vetëm që prej shërbimit që ka bërë një emër të ri, emër sekret të qytetërimit, por e ka bërë tipar, shenjë dalluese të marrëdhënies reciproke mes njeriut e Hyjit. Ne shërbëtorë të Hyjit, e Hyji që nga ana e tij bëhët shërbëtor i shërbëtorëve të vet: të cilët "do ti ulë në tryezë e do t'u shërbejë".
Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, jehon tri herë thirrja "jini gati". Po çka pret shërbëtori besnik? Nga e ardhmja nuk vie diçka, po Dikush. Në mbarim të natës, agon shkëlqimi i një takimi. E jo me Zot vjedhës të jetës, por me një Zot që bëhët shërbëtor i shërbëtorve të vet, që përkulet para njeriut dhe e nderon, që e gëzon dhe e ushqen jetën, dashurues i jetës.
Në mbarim të natës….Besnikëria e atij shërbëtori nuk konsiderohet thjeshtë një vepër e detyrueshme, një detyrë e kryer, po për Zotin është një gëzim e një befasi. Ndoshta ai shërbtor i jep Zotit më shumë se sa vet Zoti priste, është në gjendje ta befasojë e ta mrekullojë duke ndejur zgjuar deri në mbarimin e natës, i aftë ta bëjë të gëzojë. E për këte lind një përgjigje e mëtejshme e çliruese, përtej detyrimit e të drejtës, në fushën e dhuratës së pastër.
“Lum ai shërbëtor që Hyji do ta gjejë zgjuar e vigjilentë”. Pse i lum? Fatëbardhësia e shërbëtorit nuk është në faktin se ka ditur ta kalojë natën duke ndejur zgjuar, por lind shumë më parë nga fakti se pronari, se zotëria ka besim në të e atij ia beson shtëpinë. Zoti ka besim në njeriun.
Besimi i Zotit tim më pushton, në të e vëjë zemrën time, asaj i përgjigjëm. Eshtë ky psalmi im i parë: lum njeriu sepse Zoti ka besim në të. E feja, besimi i shërbëtorit i përgjigjet fesë e besimit të Zotit, e shëbëtori administron apo mbarshton me gëzim më shumë një thesar miqësie reciproke se atë të shtëpive e të mirave. Atëherë, “aty ku është visari juar, aty do të jetë edhe zemra juaj”. Thsari i vërtetë janë gjithmonë personat e kurrë sendet. Ti dëgjojme leximet dhe homelinë e liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele... RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.