2007-08-11 15:56:19

Kisha kujtoi Shën Kjarën e Asizit.


(11.08.2007 RV)Lindi më 16 korrik 1194 në Asizi. Ishte bijë e Favrone Ofreduçios dhe e Ortolanës. Emri i saj është i lidhur ngusht me atë të Shën Françeskut. Kur fama e Françeskut u përhap në gjithë qytetin, në sa një pjesë e mirë e asizianëve mendonin se i biri i Bernardonit ishte çmendur, Kjara u mahnit nga ideali françeskan i varfërisë, ndjeu një thirrje të fuqishme për ta ndjekur dhe, duke ecur në këtë rrugë, u mbyll në kuvend bashkë me shoqet e para. Themeloi kështu klariset, murgesha kundruese, që u përhapen kudo në botë.
Kjara vdiq më 11 gusht 1253. Në salikimet e saj solemne mori pjesë edhe Papa Inoçenci IV me një numër të madh shoqëruesish nga autoritetet më të larta të Kishës. Natyrisht për të marrë pjesë në një ngjarje kaq të jashtzakonshme, rrani gjithë populli i vendit e i rrethinave. Nuk ishte parë kurrë një turmë aq e madhe në Asizi. Papa propozoi që salikimet të mos kremtoheshin me oficen e të vdekurve, por me atë të virgjërave. Në këtë mënyrë do ta shpallte shenjte para se të zbriste në varr. Njëri nga kardinajt i tërhoqi vëmendjen, duke i kujtuar se një kremtim i tillë nuk përkonte me praktikën e Kishës. Dhe qe një fat i madh, sepsè gjatë procesit për shenjtërimin e saj u pyetën shumë dëshmitarë dhe u grumbulluan dëshmi, të cilat përbëjnë një pasuri për françeskanizmin e për mbarë Kishën. Por të mos ishte ndjekur praktika e shenjtërimit, këto dëshmi ndoshta nuk do të ishin njohur kurrë.
Aktualiteti i jashtëzakonshëm i figurës dhe i veprës së Shën Kjarës u nënvizua nga Papa Gjon Pali II në mesazhin drejtuar Klariseve me rastin e 750-vjetorit të vdekjes të Shenjtes së Asizit.
Shën Kjara është shembull i pedagogjisë së shenjtërisë e cila, duke u ushqyer nga lutja e vazhdueshme, ia hap zemrën Shpirtit të Zotit, duke e shndërruar krejtësisht njeriun sipas kërkesave të Ungjillit.
Tepër aktual për kohën tonë shembulli i Shën Kjarës, që mbahet gjallë e vijon të përhapet në botë nga nëntëqind kuvende, në të pesë kontinentet, edhe në Shqipëri, ku klariset qenë vendosur njëherësh me françeskanët, për t'u larguar vetëm në prag të pushtimit turk, duke lënë në trojet shqiptare sivëllezërit e tyre, që vijuan të jetojnë bashkë me popullin shqiptar në ditë të bardha e të zeza. U kthyen rishtas sapo u krijuan kushtet për apstullimin e tyre. Pas rënies së diktaturës ata hapën shtëpinë e tyre të parë në dioqezin e Sapës.
Rregulli i Shën Kjarës, pavarësisht nga kalimi i shekujve, e ruan të paprekur joshjen e vet shpirtërore dhe pasurinë teologjike. Klariset janë të thirrura të jetojnë sipas përsosurisë ungjillore, duke e gjetur në Krishtin programin e vetëm e të vërtetë të jetës. E kjo përbën një sfidë për njerëzit e kohëve tona e jo më pak një propozim, në një botë që karakterizohet nga cektësia e pakënaqësia, gjë që të krijon idenë se njeriu e ka humbur identitetin e vet, nga që nuk kujtohet më se ka lindur nga dashuria e Zotit e se Zoti e pret në bashkimin që s'ka fund. Shën Kjara e ndoqi Krishtin në përvojën e përvujtërisë e të varfërisë rrënjësore, deri te Kryqi. E zgjedhja e rrugës së varfërisë është kërkesë themelore e Ungjillit, të cilin Shenjtja e jetoi pikë për pikë, e mbyllur në kuvendin e Shën Damianit, në Asizin e paqes e të mirave.







All the contents on this site are copyrighted ©.