2007-08-10 18:25:44

Sot Kisha kujtoi Shën Lorencin, martir.


(10.08.2007 RV)RealAudioMP3 Në Passio Polychronii (Aktet e martirizimit të Shën Lorencit) lexojmë se martiri, para se ta shtrinin përmbi skarë që të piqej mbi thëngjijtë e ndezur, u lut për Romën. E Qyteti i Amshuar ia shprehu mirënjohjen, duke i kushtuar 34 kisha, nga të cilat të parën e ngriti Kostantini i Madh mbi varrin e Shenjtit. Sot radhitet ndërmjet bazilikave të mëdha romake. Ndodhet në Verano, në varrezën monumentale romake. Martirit, fort të dashur nga të krishterët, i janë ngritur kisha edhe ndër vende të tjera të botës, në sa mijëra njerëz mbajnë emrin e tij.
Por nuk është vetëm fundi i tij, ai që e bën të dashur për besimtarët: ndër afresket e të Lumit Angelico, në kapelën vatikanase të papës Nikolla V, shenjtin e shikojmë duke u shpërndarë të varfërve lëmoshët, që Kisha i mblidhte për ta. Kjo në të vërtetë ishte një nga detyrat e diakonëve e Lorenci, krijuar arqidiakon nga papa Siksti II, ishte epror i bashkësisë së diakonëve romakë. Kështu u përhap fjala se ai ishte tepër i pasur, se fshihte thesare, prandaj para se të piqej në skarë, perandori i kërkoi t’i dorëzonte këto pasuri, për të cilat kishte dëgjuar të flitej. Shenjti tregoi me gisht një grumbull skamnorësh, krejtësisht të raskapitur nga mjerimi dhe brohoriti: “Ja thesaret tona, që s’ pakësohen kurrë, që bëjnë gjithnjë fryte të reja e mund t’i gjesh kudo”.
Shën Leoni i Madh, në një homeli, duke përshkruar martirizimin e Lorencit mbi skarë, tregon: “Në sa e piqnin, ai gjente forcë të bënte shaka me njeriun që e rrotullonte mbi zjarr, për ta torturuar sa më egërsisht. I thoshte “A nuk e shikon se nga kjo anë tashmë jam pjekur si s’ka më mirë? Rrotullomë pra, nga ana tjetër.....”.Kamzhiku, hekurat, xhelati, gacat e ndezura nuk mundën ta mposhtin fenë e Lorencit, që u shndërrua në flakë të gjallë për Krishtin më 10 gusht të vitit 258!







All the contents on this site are copyrighted ©.