2007-08-10 18:25:01

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’, Emisioni IX.


(10.08.2007 RV)RealAudioMP3 Në emisionin e kaluar të ciklit tonë radiofonik “Me Nënë Terezën”, bazuar tek libri ‘Jeta ime”, Nënë Tereza na tregoi se nuk e pati aspak të lehtë të largohej nga Kongregata e saj e Zojës së Loretos e edhe se i pëlqente shumë të jepte mësim. Ajo ishte profesoreshë gjeografie. A mund t’i përfytyrojmë profesoreshat e shkollave tona duke lënë klasat për të hapur një shkollë të jashtzakonshme, në mes të rrugës, një shkollë e cila quhet e mëshirës që ka Zoti edhe për më të humburin ndërmjet njerëzve? Një shkollë në të cilën mësuesi i gjeografisë i shkel me këmbë viset për të cilat flet? Një shkollë që jo vetëm e bën mësuesin të njohur në mbarë botën, por edhe e larton në nderimet e elterit, si mjeshtër të madh të dijes së zemrës? Lëndë që sot nuk jepet në asnjë shkollë? Ndoshta e Lumja Terezë duhet të ishte edhe Pajtore e mësuesve, e sidomos, e mësuesve të gjeografisë, sepse në Kolegjin e Shën Mërisë jepte pikërisht lëndën e gjeografisë. E pikërisht për këtë shndërrim të pazakontë na flet në emisionin IX të ciklit që i kemi kushtuar:
E përsëris: largimi nga Kongregata e Loretos ishte dhe më i vështirë se largimi nga familja.
Nuk po largohesha për të kërkuar më shumë liri….
Sapo dola nga dera e Kongregatës, e pashë veten në rrugë të madhe, pa strehë, pa shoqëri, pa ndihmë, pa para, pa zanat, pa premtime, pa garanci, pa kurrfarë sigurie materiale.
Atëherë në buzët e mia lulëzoi kjo lutje:
“Ti, o Hyji im! Vetëm Ti! Kam besim në thirrjen tënde e në frymëzimin tënd. Mos më lësho dore!”.
Kisha nevojë për një çati, ku të strehoja të braktisurit.
U nisa ta kërkoj.
Eca e eca e eca, pa u ndalur, derisa më ra të fikët nga lodhja.
Atëherë e kuptova raskapitjen e të varfërve, që janë gjithnjë në kërkim të një cope buke, të një cope strehe. Të ndonjë gjëje. Të gjithçkaje.
M’u kujtua menjëherë siguria materiale që kisha gëzuar në Kongregatën e Loretos.
Mendim që m’u duk si tundim.
U luta, prandaj: “O Zoti im: me dëshirën time e vetëm me ndihmën tënde, dua të rri këtu e të bëj vullnetin tënd. Jo, nuk kthehem më prapa. Bashkësia ime janë të varfërit. Siguria e tyre është siguria ime. Shëndeti i tyre, shëndeti im. Streha ime, streha e të varfërve. Por jo thjeshtë e të varfërve. E të varfërve më të varfër. E atyre që nuk u qasesh, nga frika se të ngjitin ndonjë sëmundje, se të ndotin, ashtu siç janë, plot mikrobe e sëmundje të të gjitha natyrave, krejt të panjohura për ty, që i takon për herë të parë. E atyre që nuk shkojnë në Kishë, sepse kanë ç’të veshin. Atyre që nuk hanë, sepse nuk kanë më forcë as për të hapur gojën. Atyre që plandosen në mes të rrugës për të vdekur, ndërsa të gjallët u kalojnë pranë pa kthyer as kokën mbrapa. Atyre që s’janë më në gjendje as të qajnë, sepse u kanë shterruar lotët.
Isha aq sigurtë se Zoti donte të isha pikërisht aty!
Edhe më e sigurtë se do të ma hapte një rrugë.
E të mendosh sa e lume isha në Kongregatën e Loretos! Se Kongregata ime nuk ishte larg. Se mund të m’i hapte përsëri dyert….
Kushtet e përkohshme i kisha bërë më 1931, të përjetshmet, më 1937.
Isha përgatitur për të dhënë mësim, për t’u kujdesur për një klasë, e mësimdhënia ishte gjëja që më pëlqente më shumë se çdo gjë tjetër.
Në Kongregatën e Loretos u dhashë mësim shumë prej të rinjve, që tani janë me mua.
Jepja mësimin e gjeografisë.Atëherë as nëpër mend nuk më shkonte se një ditë, gjatë udhëtimeve të mia të pafundme nëpër botë, do të më duhej të shkelja me këmbë shumë nga vendet, për të cilat kisha folur në orët e mësimit.
 








All the contents on this site are copyrighted ©.