2007-08-10 18:34:38

Lajme të tjera nga bota


(10.08.2007 RV)Është i rëndë bilanci i ofensivës më të dhunshme të tri vjetëve të fundit, organizuar nga ushtria e Filipineve kundër milicëve islamikë të grupit Abu Sajaf, i lidhur me Al Kaidën. Gjatë luftimeve të orëve të fundit në ishullin Jolo, kanë gjetur vdekjen së paku 58 vetë, ndër të cilët 26 ushtarë filipinas. Zonat jugore të Filipineve, të cilat banohen kryesisht nga myslimanë, janë teatër i një konflikti të armatosur indipendentist, i cili që nga vitit 1970 ka shkaktuar 150 mijë viktima.

Në kuadrin e një konflikti të vazhdueshëm në Irak, ku çdo ditë regjistrohen viktima, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, vendosi sot, me një rezolutë të paraqitur nga SHBA-të dhe Britania e Madhe, të zgjerojë misionin e vet në Bagdad. Stafan de Mistura është kandidati për të marrë në dorë kryesinë e misionit të Kombeve të Bashkuara. Kujtojmë se diplomati suedez, de Mistura ka qenë edhe në Kosovë. Por de Mistura nuk shihet me sy të mirë nga irakianët, të cilët preferojnë rumunin Radu Onofrei.

Një konflikt i ashpër me armë në Jeruzalemin e vjetër shkaktoi sot vdekjen e një palestinezi. Së paku 10 vetë kanë mbetur të plagosur. Ndërkaq, dy fraksionet palestineze, Hamasi dhe al-Fatahu kanë pranuar propozimin e presidentit jemenit, Ali Abdullah Saleh për ndërmjetësim në procesin e bashkëpunimit ndërmjet tyre. Nga ana e saj, partia Al- Fatah e presidentit palestinez Abu Mazen ka saktësuar se çdo nismë për dialog duhet të parashikojë kthimin e Gazës në gjendjen që ishte para sulmit dhe marrjes së saj nga milicët e Hamasit.







All the contents on this site are copyrighted ©.