2007-08-10 18:25:24

Kardinali Pupar kremton, në emër të Papës, salikimet e kardinalit Lystizher.


(10.08.2007 RV)RealAudioMP3 Në një atmosferë tepër emocionante u kremtuan sot paradite në katedralen e Shën Marisë së Parisit, salikimet e kardinalit Zhan-Mari Lystizher, kryeipeshkëv nderi i qytetit, që vdiq të dielën e kaluar në moshën 80 vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë e të rëndë. Kremtimin e kryesoi, në emër të Papës, kardinali Pupar, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës. Të pranishëm, shumë kardinaj e ipeshkvij. Në ritin e salikimit mori pjesë edhe presidenti francez, Nikolas Sarkozi, që ndërpreu pushimet në SHBA si dhe kryeministri, Fransua Fijò. Meshën e salikimeve e ndoqën edhe përfaqësues të kishave të tjera e të hebraizmit: kujtojmë se kardinali i ndjerë, bir i një familjeje hebraike, u kthye në fenë katolike në moshën 14 vjeçare.
Në telegramin e ngushëllimit, Papa e quan kardinalin Lystizher: “Figurë e madhe e Kishës në Francë, Bari plot pasion në kërkim të Zotit, i impenjuar plotësisht për t’i kumtuar Ungjillin botës, njeri i fesë e i dialogut, posaçërisht ndërmjet të krishterëve e hebrenjëve”.Ndërsa kryeministri Fijo, duke kujtuar kardinalin Lystizher, theksoi se ai ka bërë shumë për dialogun ndërmjet feve, por edhe për dialogun ndërmjet Kishës e Shtetit.
Të dëgjojmë dëshminë e kardinalit Pol Pupar, që na flet me telefon nga Parisi:
Përgjigje: - Kardinali Lystizher ishte burrë me karakter të fortë, të vendosur; edhe fizikisht të krijonte përshtypjen e njeriut të fortë, me fytyrë të çiltër e sy depërtues. Kur e takoje, pa e hapur akoma gojën, ndjehej se kishe të bëje me një njeri të fortë, që jetonte si Shën Pali, jeta e të cilit mund të përmblidhej në shprehjen e njohur të Apostullit: “Jeta ime është Krishti”. Me këtë moto jetoi gjithnjë: si meshtar, si ipeshkëv e si kryeipeshkëv i Parisit.
Pyetje: - Ç’rol luajti në dialogun me botën hebraike, duke qenë bir i një familjeje hebrenjsh?
Përgjigje: - Ishte një punë e pashembullt, sepse duke qenë nga familje hebreje, e zbuloi vetë Ungjillin. Gjatë luftës ishte në Orleans, pranë një familjeje katolike e, një të Premte të Madhe, ndoqi misterin në katedrale. Ndikoi aq shumë kjo e Premte e Madhe mbi jetën e tij, sa që kur mbushi moshën 14 vjeçare, kërkoi të pagëzohej, duke marrë emrin e ri Zhan, por duke ruajtur edhe emrin e tij të parë: Aron: quhej pra Zhan Mari Aron Lystizher. Fillimi nuk qe i lehtë e, kur u bë kryeipeshkëv i Parisit, pati shqetësime jo të pakta nga bota hebraike, gjë që e bëri të vuante shumë. Por më pas hebrenjtë u bindën se ai po bënte çmos t’i kishte gjithnjë pranë “vëllezërit e mëdhenj”, siç i quajti Gjon Pali II. E këtë e tregojnë edhe dëshmitë e rabinëve në çastin e vdekjes së tij.
Pyetje: - Kardinali i ndjerë njihej sidomos për impenjimin e tij përkrah të rinjve…
Përgjigje: - Natyrisht, sepse ai mbeti gjithnjë i ri. Sapo kreu studimet në Institutin Katolik të Parisit, u emërua kapelan i studentëve të Sorbonës, universitetit të famshëm të Parisit e jetoi për një kohë të gjatë në gjirin e studentëve, me të cilët shtegtoi disa herë në Tokën Shenjte. Të paharrueshme këto shtegtime. Ata që patën fatin të marrin pjesë, i kujtojnë me emocion të thellë edhe sot e kësaj dite. Të gjithë e kujtojmë akoma suksesin e jashtëzakonshëm të Ditës Botërore të Rinisë në Paris, kur miliona të rinj u mblodhën në zemër të kryeqytetit francez, në Kampo di Marte, ku kaluan një natë të tërë në pritje të kremtimit të Meshës Shenjte të së dielës. E kujtoj në kulmin e gëzimit, të rrethuar nga të rinjtë e mbarë botës, e pranë Atit të Shenjtë.
Pyetje: - Njeri i dialogut e i së vërtetës, kardinali pati ndikim të fortë edhe mbi shoqërinë franceze…
Përgjigje: - Në shoqërinë franceze ishte njeri që fliste fjalë të forta, të lira nga çdo ndikim politik. Mbajti gjithnjë qëndrim në diskutimet e mëdha të shoqërisë, gjë qënganjëherë pati si pasojë edhe kundërshtime e armiqësi. Po ai nuk ngurroi kurrë ta thoshte fjalën e vet, në emër të Krishtit, në emër të Ungjillit e kështu u bë figurë mediatike, karizmatike, që të gjithë dëshironin ta shikonin e ta dëgjonin.







All the contents on this site are copyrighted ©.