2007-08-10 18:25:34

Edhe këto ditë, familja dhe natyra e vërtetë e martesës është në qendër të vemendjes së Papës.


(10.08.2007 RV)RealAudioMP3 “Të jeni shembëlltyrë e ndritshme e Hyjit, përmes besnikërisë reciproke”: kjo është porosia që u dha Papa bashkëshortëve të rinj, të pranishëm në audiencën e së mërkurës së kaluar.
Edhe dje, duke takuar në Kastel Gandolfo të rinjtë e dioqezës së Madridit, Ati i Shenjtë vuri theksin tek bukuria që ka dashuria familjare përpara syve të Zotit. Jehojnë përsëri, pastaj, këto ditë, fjalët e Atit të Shenjtë mbi natyrën e vërtetë të martesës, shqiptuar gjatë takimit me klerin e Kadores, në Auronco, më 24 korrikun e kaluar. T’i rikthehemi këtij dialogu kaq të pasur me reflektime të çmuara mbi familjen e sotme:
Duhet rizbuluar natyra e martesës, e cila flet me një gjuhë, që ndryshon nga gjuha moderne: këtë vërejtje bëri Papa, duke iu përgjigjur një famullitari venet në takimin me klerin në Auronco të Kadores, për të theksuar, më pas, se sot ka humbur kuptimi i thellë i institucionit martesor:
“Modeli ‘siç bëjnë të gjithë’, kthehet në model që i kundërvihet asaj që thotë natyra. Bëhet kështu diçka normale të martohesh, të divorcohesh, të martohesh rishtas e askush nuk mendon se kjo është në kundërshtim me natyrën njerëzore, ose vështirë se gjindet kush që mendon kështu. Prandaj për të ndihmuar që të arrihet realisht në martesë, e jo vetëm në kuptimin kishtar të fjalës, por sidomos të Krijuesit, duhet të ruajmë aftësinë e dëgjimit të natyrës.
Pikërisht natyra – tha Papa – na fton ta jetojmë martesën me besnikëri për gjithë jetën, edhe në vështirësi, sepse kështu dashuria nuk zhduket por përkundrazi, rritet. Prandaj, duke pasur parasysh fenomenin e krizës së martesave, Ati i Shenjtë u ndalua posaçërisht tek rëndësia e kurseve përgatitore për martesë. Këto kurse duhet të jenë një rrugë që ndihmon në marrjen e vendimit të vërtetë për t’u martuar sipas Krijuesit. Por megjithatë, kurset nuk mjaftojnë:
“Këto kurse përgatitore për të mësuar vetveten, për të mësuar vullnetin e vërtetë martesor, kanë shumë rëndësi. Por nuk mjafton parapërgatitja. Kriza e madhe vjen mbrapa. Prandaj bashkëshortët duhen shoqëruar së paku në dhjetë vjetët e para. Prej këndej, famullia nuk duhet të kujdeset vetëm për kurset përgatitore, por edhe për vazhdimësinë e martesës, duke i shoqëruar e duke i ndihmuar bashkëshortët në çaste krize”.
Ka rëndësi të krijohet një rrjet familjesh, që ndihmojnë reciprokisht njëra-tjetrën si dhe lëvizjesh, që mund të japin ndihmesë të ndjeshme, për të mos arritur pastaj tek divorci. E pasi kujtoi divorcin, Papa u ndalua edhe tek çështja delikate e të divorcuarve të rimartuar:
“Vuajmë të gjithë nga ky problem, sepse të gjithë kemi pranë njerëz që ndodhen në një situatë të tillë dhe e dimë sa vuajnë, sepse duan të jenë në bashkim të plotë me Kishën. Lidhja e mëparshme martesore e kufizon pjesëmarrjen e tyre në jetën e Kishës”.
Ç’duhet bërë atëhere? – pyet Papa Benedikti XVI. Sigurisht pranon se për këtë nuk ekziston ndonjë recetë e thjeshtë, që mund ta zgjidhë menjëherë problemin e dhimbshëm. Përgjigja mund të gjindet vetëm tek dashuria. Është fjala për dashurinë e të afërmit, që mund t’i ndihmojë bashkëshortët ta kapërcejnë krizën e të mësojnë besnikërinë, gjë që të bën të vuash, por edhe të fitosh pjekurinë:“Mendoj se vetëm dashuria e ndjerë e Kishës, që realizohet përmes një shoqërimi shumformësh, mund t’i ndihmojë këta njerëz ta kuptojnë se Krishti i do, se janë anëtarë të Kishës, edhe pse në një situatë të vështirë, e kështu ta jetojnë fenë e tyre”.







All the contents on this site are copyrighted ©.