2007-08-09 16:33:36

“Ungjilli e tërheq fuqimisht rininë”- u tha Papa 5 mijë të rinjve spanjollë, pritur në Kastel Gandolfo.


(09.08.2007 RV)RealAudioMP3 ‘Besimi në Krishtin të thërret për mision, kërkon zemër të fisme e dëshmi të guximshme’ - kështu u tha Benedikti XVI 5 mijë të rinjve të kryedioqezës së Madridit e të dioqezës së Alkalá de Henares e Getafes, të impenjuar në ‘Misionin rinor’, të cilët i priti në audiencë sot paradite në Kastel Gandolfo. Të rinjtë, që shoqëroheshin nga kardinali Antonio Maria Ruouko Varela, i folën Papës për përvojën e tyre, për vështirësitë e kaluara e gëzimet e provuara gjatë kryerjes së misionit nëpër rrugët e sheshet e dioqezave të tyre. Tregonin e këndonin të rinjtë – duke i dhënë një gjallëri të veçantë audiencës së sotme. E Papa e vlerësoi lart nismën, në të cilën marrin pjesë mijëra të rinj, dhe entuziazmin me të cilin dolën rrugëve, duke u treguar të gjithëve se, në kundërshtim me atë që mendon shumkush, Ungjilli vijon t’i tërheqë fuqimisht të rinjtë, duke u zbuluar domethënien kishtare të jetës së krishterë, në kuptimin e saj më të plotë. Imzot Varela, duke ia paraqitur të rinjtë Papës, foli edhe për punën e heshtur e të thellë të përtëritjes shpirtërore, në qëndër të veprimtarisë baritore të Kishës spanjolle me të rinjtë.
Më pas pesë të rinj dëshmuan me guxim para Papës. Njëri prej të pestëve tregoi se në ‘Misionin rinor’ marrin pjesë 230 shkolla e 35 mijë studentë, të cilët e kanë kuptuar sa rëndësi ka t’u përçosh breznive të reja, në kërkim të kuptimit të jetës, mesazhin e Krishtit.
"Yo estaba en su misma situación, bebiendo alcohol…
“Isha në të njëjtën gjendje, pija alkool çdo fund jave, më joshte seksualiteti, e kërkoja kuptimin e jetës – i tregoi Papës Pedro i cili, pasi u takua me Krishtin, vendosi të hyjë në seminar.
Inkurajuese e nxitëse përgjigja e Benediktit XVI:
"La fe en Jesucristo, al abrir horizontes de una vita nueva…
“Feja në Krishtin, në sa hap horizontet e jetës së re, të lirisë së vërtetë e të shpresës pa kufi, të thërret për mision, për zell që lind nga zemra që iu dorëzua Zotit dhe për dëshminin e Atij që është Rruga, e Vërteta, Jeta”.Benedikti XVI i nxiti të rinjtë ta kultivojnë takimin personal me Krishtin e ta mbajnë gjithnjë në qendër të zemrës së tyre, sepse kështu, gjithë jeta e tyre bëhet vetvetiu mision.







All the contents on this site are copyrighted ©.