2007-08-09 16:34:12

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’, Emisioni VIII.


(09.08.2007 RV)RealAudioMP3 E lehtë për t’u treguar jeta e Nënë Terezës, që ne po e ndjekim përme ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, duke shfletuar librin ‘Jeta ime”, por aspak e lehtë për t’u jetuar. Asaj, shqiptares së larguar nga familja e saj e nga Shkupi i saj, iu desh të provonte shumë largime të tjera, për t’iu përgjigjur thirrjes së Krishtit. Shumë të hidhura këto largime, tepër të ngarkuara me vështirësi e, sidomos, me mall për atë që kishte lënë pas, më parë për familjen e prindërve, pastaj për familjen shpirtërore, për Kongregatën e Loretos. Për këtë mall na flet sot e Lumja Terezë në emisionin VIII të ciklit:
Më 1948 u largova nga Kongregata e Motrave të Zojës së Loretos.
Ditën që e lashë Kongregatën time, në sa sillesha për herë të parë rrugëve të Kalkutës, m’u afrua një meshtar. Më kërkoi lëmoshë për të ndihmuar shtypin katolik.
Isha larguar nga Kongregata ime me 5 rupie në xhep, prej të cilave, katër ia kisha dhënë të varfërve.
Ngurrova një ças, por pastaj nxora nga xhepi rupien që më kishte mbetur e ia dhashë meshtarit.
Po atë mbasdite, meshtari erdhi të më takonte. Në dorë kishte një zarf.
Më rrëfei se ia kishte dorëzuar një njeri, i cili kishte dëgjuar të flitej për planet e mia, e prandaj edhe donte të ndihmonte.
E hapa zarfin: kishte brënda pesë rupie.
Atë ças ndjeva thellë në shpirt se Zoti kishte filluar ta bekonte veprën, e se nuk do të më lëshonte kurrë dore.
Motrat e Kongregatës së Loretos nuk më penguan fare, kur vendosa të largohem prej kuvendit.
Përkundrazi, më kuptuan e më ndihmuan.
Gjithsesi nuk e pata aspak të lehtë: largimi nga Kongregata e Loretos ishte për mua një flijim i madh.
Madje mund të them se ishte gjëja më e vështirë që kisha provuar deri atë ças.
M’u duk edhe më e vështirë se largimi nga familja e nga vendi im për të hyrë, për herë të parë, në kuvend.
Për mua Kongregata e Loretos ishte gjithçka. Aty isha ushtruar për herë të parë shpirtërisht.
Aty isha bërë murgeshë.
Në këtë Kongregatë ia kisha kushtuar plotësisht vetveten Jezusit.E, më pëlqente shumë t’u jepja mësim vajzave.







All the contents on this site are copyrighted ©.