2007-08-09 16:33:55

Përsëriteni premtimin që i keni bërë Krishtit për ta çuar Ungjillin në të katër anët e botës: mesazh i Benediktit XVI, Kalorësve të Kolombos.


(09.08.2007 RV)RealAudioMP3 “Vijoni t’ia kushtoni energjitë tuaja e zellin tuaj apostolik promovimit të misionit të Kishës, për t’iu përgjigjur kështu shpresave e dëshirave të njerëzimit, kudo që të jeni”- për këtë i nxit Benedikti XVI Kalorësit e Kolombos në mesazhin drejtuar Takimit të 125-të të Urdhërit, që vijon në Neshvil të Tenesi-së. Mesazhin e lexoi para delegatëve kardinali Tarçizio Bertone, që merr pjesë në këtë takim të madh, në sa viziton për herë të parë SHBA si sekretar i Shtetit të Vatikanit.
Papa i fton Kalorësit t’i përsërisin premtimet e bëra para Jezu Krishtit, duke marrë shtytje nga tema e takimit të Neshvilit, që ka në qendër të vëmendjes përhapjen e lajmit të Ungjillit. - Pa Zot, njeriu është i mangët e nuk gjen paqe – vëren Ati i Shenjtë - e në vijim citon fjalët e Shën Agostinit, sipas të cilit ‘Zemrat tona nuk gjejnë paqe, deri në çastin kur pushojnë në Tënzonë”. Kur e njohim Zotin dhe e pranojmë në jetët tona – shkruan Benedikti XVI – atëhere e kuptojmë madhështinë e thirrjes sonë për të qenë bij të Hyjit.
Si nënvizon, në Mesazh, kontributin e Kalorësve të Kolombos gjatë 125-vjetëve të historisë së tyre, Papa thekson edhe rolin e rëndësishëm të laikëve në Kishë.
Më pas, duke kujtuar shembullin e themeluesit të Kalorësve të Kolombos, Atë Majkëll McGivnei, Benedikti XVI falënderon Urdhërin për ndihmën e vazhdueshme që u ka dhënë të varfërve e të sëmurëve, por edhe për dëshminë në mbrojtje të vlerës së martesës e të familjes. Pikërisht familja – vijon Ati i Shenjtë - është Kishë shtëpijake që me praninë e vet e shndërron shoqërinë nga brënda. Prandaj Papa i falënderoi Kalorësit e Kolombos për kontributin që kanë dhënë e japin në ndërtimin e Mbretërisë së Hyjit mbi tokë. Benedikti XVI e përfundon mesazhin duke kujtuar Nënë Terezën. Rregulltarja mësonte gjithnjë se koha që i kushtohet Zotit në lutje, jo vetëm që nuk e cënon shërbimin ndaj të afërmit, por është burim i pashterrshëm i këtij shërbimi. Prej këndej Papa i porosit Kalorësit e Kolombos ta ushqejnë impenjimin e tyre misionar me lutje të vazhdueshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.