2007-08-09 19:01:40

Londër: vendosen hapat e bisedimeve për statusin e Kosovës


(09.08.2007 RV)Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit dhe të Trojkës së bisedimeve për Kosovën, u takuan sot në Londër në nivelin e drejtorëve politikë. Para takimit, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, gjermani Ishinger deklaroi se vazhdimi i bisedimeve mbi statusin e Kosovës "është mundësia e fundit për të gjetur zgjidhjen".
Në një intervistë për BBC-në, Ishinger theksoi se do të ishte një sukses për kosovarët dhe serbët, nëse do të gjenin një gjuhë të përbashkët gjatë këtyre muajve. Por askush nuk beson në një mundësi të tillë.
Serbia nuk do të pranojë të hyjë në Bashkimin Evropian nëse Brukseli e njeh pavarësinë e Kosovës, shkruan në numrin e sotëm gazeta proqeveritare "Politika". Serbia është e bindur se rruga për njohjen e njëanshme të pavarësisë nga SHBA-të, nuk do të ndiqet edhe nga vendet e Bashkimit Evropian, shkruan gazeta serbe.
Treshja e negociatorëve udhëton nesër për në Beograd, ku do të takojë zyrtarët e Serbisë, ndërsa të shtunën viziton Prishtinën për të biseduar me autoritetet e Kosovës.


Qindra rezervistë të ushtrisë serbe kanë bllokuar sot rrugën kryesore që lidh Nishin me Prishtinën, në jug të Serbisë, duke kërkuar pagesën për pjesëmarrjen në luftën e Kosovës në vitin 98-99. Ata kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin masa më radikale nëse problemi nuk zgjidhet brenda javës. Nuk ka pasur reagime nga ana e autoriteteve serbe.








All the contents on this site are copyrighted ©.