2007-08-08 18:52:43

Takim historik mes dy Koreve në fund të gushtit


(08.08.2007 RV)RealAudioMP3 Pas incidentit kufitar ndërmjet Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, që u kufizua vetëm në një seri të shtënash nga ushtarët e të dyja anëve, qeveritë vendosin të organizojnë një takim historik të nivelit të lartë, i dyti në shtatë vjet. Ky takim do të zhvillohen në fund të muajit në Piong-jang, kryeqytet i Koresë së Veriut. Në qendër të bisedimeve, programi bërthamor i koreanoveriorëve, të cilët kanë pranuar të heqin dorë prej tij në këmbim të ndihmave ekonomike dhe energjitike. Përshëndetje entuziaste arritën për këtë vendim, nga Shtëpia e Bardhë, ndërsa qeveria koreanojugore nënvizon në një notë se samiti do të zgjerojë lidhjet veri-jug, duke i ngritur në një nivel më të lartë. Koment i Stefano Vekias, ekspert italian i çështjeve aziatike, në mikrofonin tonë:
Regjimi koreanoverior, nga njëra anë, ka nevojë për këto marrëdhënie, një nevojë politike. Duhet dalë nga izolimi. Koreja e Veriut fillon ta ndjejë fortësisht peshën e sanksioneve ndërkombëtare e prandaj, ka nevojë të hapet në një farë mënyre. E ky raport i privilegjuar me Korenë e Jugut është ndoshta porta për të dalë me të vërtet në det të hapur. Të kemi parasysh se popullsia koreane është një popullsi e vetme, që vetëm historia e afërt e ka ndarë ndërmjet dy vendeve armike.
Pajtimi i vërtetë mund të vijë ndoshta me nënshkrimin e një traktati paqeje. Të mos harrojmë se të dyja Koretë janë formalisht akoma në luftë me njëra-tjetrën…
Absolutisht që po, e besoj se në fund të fundit, ky është objektivi kryesor i takimit të dy presidentëve në fund të muajit. Natyrisht, ka pak mundësi që të arrihet në një vendim zyrtar, apo në një vendim spektakolar përsa i përket kësaj çështjeje. Por është e qartë se një traktat paqeje është thelbësor, akoma më tepër për Korenë e Veriut, që duhet të dalë nga izolimi, pasi rrezikon të lëkundë – në mos ta rrëzojë krejtësisht – regjimin e saj diktatorial 50 vjeçar.







All the contents on this site are copyrighted ©.