2007-08-08 16:36:21

Nuk mund të ketë humanizëm, pa Zotin: kështu u shpreh sot Papa në audiencën e përgjithshme, kushtuar Gregorit të Naciancit.


(08.08.2007 RV)RealAudioMP3 Pa Zotin, njeriu e humbet madhështinë e tij, pa Zotin nuk ka humanizëm të vërtetë: këtë mësim na jep Gregori i Naciancit – tha sot paradite Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI . Papa, që erdhi në Vatikan nga Kastel Gandolfo, vuri në qendër të katekizmit të sotëm, figurën e Atit të Kishës, gojtarit të shkëlqyer e mbrojtësit të fesë, që jetoi në shekullin IV e që, në homelitë e tij, vuri gjithnjë në plan të parë Zotin.
Njeri i rafinuar, i ndjeshëm e i kulturuar, ai zgjodhi rrugën e jetës murgare, rrugën e meditimit filozofik e shpirtëror: kështu e përshkroi Benedikti XVI Gregorin e Naciancit, autor i ‘Fjalimeve teologjike”, i homelive e i teksteve poetike, që vijojnë t’u flasin edhe njerëzve të kohëve tona:
Është njeri që bën të ndjehet përparësia e Zotit, e prandaj na flet edhe ne, i flet edhe botës sonë. Pa Zotin, njeriu e humbet madhështinë; pa Zotin nuk ka humanizëm të vërtetë. Ta dëgjojmë, prandaj, këtë zë e të përpiqemi ta njohim edhe ne fytyrën e Zotit”.
Kështu u shpreh Papa e në vijim vuri në dukje sa rëndësi i jepte Gregori teologjisë:
“Për të nuk ishte vetëm reflektim njerëzor ose fryt i mendimeve të thella e të ndërlikuara, por rrjedhojë e jetës së kaluar në lutje e shenjtëri, e dialogut të vazhdueshëm me Hyjin. E pikërisht kështu arsyes sonë i shfaqet realiteti i Hyjit, misteri trinitar”.
Mbrojtës i vendosur i fesë trinitare, Gregori luftoi me të gjitha forcat kundër herezisë ariane, e cila në shekullin IV ishte vënë në shërbim të perandorëve. I pëlqente vetmia. Për të gjëja më e madhe ishte t’i bësh ndjenjat tua të heshtin, të dalësh nga korpi e nga bota, të mbyllesh në vetvete, të mos merresh fare me punët e njerëzve, përveç atyre që janë vërtetë të domosdoshme; të flasësh me vete e me Hyjin, të jetosh një jetë të padukshme, jashtë sendeve të dukshme; ta kesh shpirtin plot me figura hyjnore gjithnjë më të kulluara, krejt të papërzjera me format tokësore e të gabuara . Kështu u shpreh Papa e në vijim përshkroi edhe ngurrimin me të cilin Gregori i Naciancit e priti shugurimin meshtarak: kishte merak se do t’i rrëmbente kohën e lutjes, të takimit me Hyjin, ndonëse pastaj bëri dëgjesën, duke e pranuar shërbimin baritor e duke shkuar, ashtu si ndodh shpesh herë në jetë, atje ku nuk deshi të shkonte.
Papa foli edhe për miqësinë e ngushtë që e lidhte Gregorin me Bazilin dhe lexoi një fragment nga përshkrimi i Atit të Kishës kushtuar kësaj miqësie:
“Na printe e njëjta etje për të ditur… gara jonë nuk kishte për qëllim që secili të dilte i pari, por që secili ta mundësonte tjetrin të ishte i pari. Dukej sikur kishim një shpirt të vetëm në dy trupa”.
Ashtu si për shugurimin meshtarak, Gregori ngurroi edhe para se të shugurohej ipeshkëv. Por iu desh ta pranonte edhe këtë shërbim. E si ipeshkëv i Sazimës e pastaj edhe i Kostandinopojës, u detyrua të përballojë shumë vështirësi, kundërshtime e armiqësi – tha Papa dhe në vijim citoi fjalët Gregorit:
“E ndamë Krishtin, ne që e donim aq shumë Hyjin e Krishtin! Gënjyem njëri-tjetrin, për shkak të së vërtetës, ushqyem ndjenja urrejtjeje, për shkak të dashurisë, u ndamë nga njëri-tjetri”Së fundi Benedikti XVI i ftoi besimtarët të ndjekin shembullin e Shën Dedës Guzman, që Kisha katolike e kremtoi sot, e të Shën Tereza Benediktës së Kryqit- në shekull Edit Shtain - që do të përkujtohet nesër, të cilët na mësojnë t’i mbështesim gjithë shpresat tona te Krishti.







All the contents on this site are copyrighted ©.