2007-08-08 18:57:20

Lajme të tjera nga bota


(08.08.2007 RV)Lumenj gjaku në Irak. Forcat amerikane të sigurisë kanë bombarduar lagjen shiite të Sadr Sitit në Bagdad, duke shkaktuar së paku 30 viktima, sipas disa burimeve, por shifra nuk është akoma e saktë. Sulmi bëhet në ditën e parë të shtetrrethimit, ndër tre të dekretuarat, në prag të shtegtimit vjetor shiit në kryeqytetin irakian. Shiitët kremtojnë përvjetorin e vdekjes së imamit Musa Kadim. E ndërsa 13 të arrestuarit dhe viktimat, akuzohen nga forcat amerikane si bashkëpunëtorë të Iranit, kryeministri irakian Al Maliki mbërriti sot në Teheran për të vazhduar bisedimet mbi stabilitetin dhe sigurinë në vend.
Kombet e Bashkuara janë gati të forcojnë rolin e tyre në Irak, gati 4 vjet pas atentatit që i kushtoi jetën përfaqësuesit të OKB-së në Bagdad, Serxho Viera de Melo, 21 personave të tjerë, dhe solli tërheqjen e personelit të OKB-së. Tani, Pallati i Qelqit ka deklaruar se do ta rrisë numrin e personelit dhe do t’i japë përfaqësuesit të ri, që do të zëvendësojë pakistanezin Ashraf Oazi, më shumë pushtet për të këshilluar qeverinë irakiane mbi çështjet ekonomike, politike, zgjedhore dhe kushtetuese, si dhe përsa i përket refugjatëve.
Luftime në Afganistanin jugor ndërmjet talebanëve dhe ushtarëve të koalicionit ndërkombëtar kanë shkaktuar mëse 80 viktima, të gjithë talebanë. Nga ana tjetër, rebelët janë treguar të gatshëm të dorëzojnë të gjitha pengjet koreanojugore në këmbim të lëshimit të të burgosurve afganë. Por ushtria deklaron se është gati t’i lirojë me forcë. Ndërkaq, nesër fillon në Kabul, Kuvendi i pleqve të Pakistanit dhe Afganistanit. Është hera e parë që 700 të urtë nga të dyja vendet mblidhen për tri ditë për të pleqëruar punët e të dyja vendeve. Presidenti i Pakistanit, Musharraf nuk do të marrë pjesë.

Kina po përgatitet me pohe e bujë për Lojrat olimpike të 8 gushtit 2008, për t’i treguar krejt botës fuqinë e vet. Por Olimpiada është kthyer që tani në një ëndërr të keqe për një pjesë të mirë të popullsisë. Janë ata njerëz, që kanë fatin e keq të banojnë në shtëpitë, që qeveria e Pekinit ka vendosur t’i rrafshojë për të ndërtuar shtëpitë për sportistët, stafin dhe organizimin e Lojrave. Familjet e nxjerra papritur nga banesat e tyre janë me qindra dhe shuma që u jep shteti është më e vogël nga ajo që do të kishin fituar po ta kishin shitur shtëpinë. E madje edhe këto para të premtuara, nuk duken në horizont. Kush proteston arrestohet dhe pikturohet nga shtypi si keqbërës. “Pas Olimpiadës qëndrojnë gjaku dhe mundi i njerëzve të thjeshtë”, komentojnë personat që u ka rënë në kokë një hall i tillë.







All the contents on this site are copyrighted ©.