2007-08-08 16:36:41

Kardinali Etçegarai takohet në Moskë me Patrikun Aleksej II.


(08.08.2007 RV)Me ftesë të Konferencës Ipeshkvnore ruse, kardinali Etçegarai ndodhet në Rusi për kremtimin e 10-vjetorit të shugurimit të katedrales katolike të të Shndërruemit të Jezu Krishtit, në Novosibirsk. Gjatë ndalesës në Moskë, Hirësia e Tij u prit nga Patriku Aleksej II.
Me këtë rast kardinali Etçegarai i dorëzoi kreut të Kishës ortodokse ruse një mesazh të përzemërt të Papës Benedikti XVI, shoqëruar me një dhuratë personale. Takimi u zhvillua në një atmosferë vërtetë vëllazërore. Aleksej II, duke pritur me kënaqësi të madhe mesazhin, e siguroi Hirësinë e Tij se do t’i përgjigjet me shkrim Benediktit XVI.
Sipas agjensisë Interfax, pas takimit me Aleksejn II, kardinali Etçegarai pohoi se katolikët dhe ortodoksët kanë hyrë në një rrugë të përbashkët. Arritja e qëllimit është e afërt – shtoi - por nuk mund të ngutemi. Si Papa, ashtu edhe Patriku mendojnë për një takim të mundshëm – nënvizoi kardinali – me kusht që të realizohet në atmosferën e sinqeritetit e të vërtetësisë. Takimi do të realizohet kur të krijohen kushtet – tha Hirësia e Tij – dhe në përfundim uroi të thellohet dialogu ndërmjet katolikëve e ortodoksëve, duke nënvizuar se takimi i Papës së Romës me Patrikun e Moskës do të ishte shprehja më e lartë e këtij dialogu. Përveç mesazhit të Papës, kardinali i dorëzoi Patrikut si dhuratë edhe penën e artë, me të cilën Benedikti XVI ka nënshkruar disa dokumente.Kujtojmë se kardinali Etçegarai, që më 15 gusht, në Festën e të ngjiturit të Zojës në qiell do të kremtojë Meshën Shenjte në katedralen e Moskës, për katolikët që jetojnë në kryeqytetin rus, është takuar disa herë me Patrikun Aleksej: herën e fundit, në qershor 2006.







All the contents on this site are copyrighted ©.