2007-08-08 18:55:03

1900 viktima nga përmbytjet në Azi: impenjimi i Karitasit


(08.08.2007 RV)Pasojat e përmbytjeve në Azinë jugore bëhen gjithnjë e më të rënda. Deri më sot, numri i viktimave ka arritur në 1900, mëse 35 milion kanë nevojë për ndihma e mëse 10 milion kanë mbetur pa strehë. Rrugët e komunikimit janë të mbuluara nga uji e shpesh, edhe aty ku uji është tërhequr, nuk mund të kalohet. Fshatra të tëra ndodhen në izolim të plotë, në zona të ndryshme të Bangladeshit, Indisë, Pakistanit e Nepalit. Kisha katolike është impenjuar nëpërmjet Karitasit të zonës, për t’u ardhur në ndihmë popullsive në nevojë. Karitasi i Bangladeshit, për shembull, po furnizon me ujë të pijshëm, kura shëndetësore dhe ushqim mëse 40 mijë familje. Karitasi i Indisë ka ngritur 200 kampe për asistencën shëndetësore e po bën pastrimin e ujit për shumë fshatra. Në Pakistan, Karitas ka shpërndarë pako për rreth 20 mijë familje. Karitasi nepalez po merret me projekte rindërtimi. Janë me mijëra shtëpi, shkolla dhe spitale të dëmtuara ose të shkatërruara krejtësisht. Vështirësive të shumta u shtohet edhe rreziku i epidemive për shkak të ujit të ndotur. Emergjenca ka të bëjë sidomos me fëmijët, që përbëjnë 40% të popullsisë në Azinë jugore. Sipas ekspertëve, përmbytjet që kanë goditur vendet që nga qershori, janë më të mëdhatë e 30 viteve të fundit. Ato kanë shkaktuar daljen e lumenjve e parashikimet e motit nuk janë aspak të mira. Në ditët e ardhshme duhet të bjerë akoma shi.


Kalojmë në alarmin për aftën epizootike në Evropë. Agjensia shëndetësore britanike konfirmon se epidemia filloi nga laboratoret e zonës, ku masa të pamjaftueshme sigurie kanë bërë që viruset të përhapen edhe jashtë tyre. Qeveria ka marrë masa të jashtëzakonshme dhe ka premtuar dëmshpërblime për blegtorët.







All the contents on this site are copyrighted ©.